Pavarësisht dëshirës për të zhvilluar një kampionat ndryshe, Vllaznia në volejboll për femra i ka bërë një start shumë të keq atij. Në tre ndeshjet e para, ajo ka pësuar tre humbje duke qenë kësisoj ndoshta larg asaj pritshmërie që kishim për të.
Mungesa e eksperiencës tek pjestaret e këtij ekipi po ndikon në rezultatet e deritanishme megjithatë stafi teknik ka ende besim tek ato. Pasditen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” është luajtur takimi i javës së tretë të kampionatit, ai në mes Vllaznisë dhe Mirditës.
Ky i fundit kohët e fundit ka bërë shumë përforcime duke marrë në rradhët e tij disa lojtare cilësore të kampionatit shqiptar dhe njëkohësisht edhe të kombëtares, pasi pretendon fitimin e titullit kampion.
Pikërisht për këtë arsye, vajzat e reja shkodrane duket se e humbën ndeshjen pa e filluar mirë atë, menjëherë sapo kanë parë në fushë kundërshtaret e tyre. Ndryshe nuk ka si shpjegohet ajo lojë e zhvilluar prej tyre.
Seti i parë është fituar nga mirditoret me rezultatin e thellë 25 me 9. Në të dytin Vllaznia përmirëson diçka megjithatë e humb edhe atë në shifrat 25 me 18.
Duket se loja ka marrë rrjedhën e saj drejt humbjes për shkodranet dhe kështu ndodh edhe në setin e tretë që fitohet përsëri nga Mirdita me shifrat 25 me 14 dhe krejt ndeshja me sete 3-0.
Trajnerët Mark Kroqi dhe Adrian Mikopli sigurisht që janë shfaqur të zhgënjyer me paraqitjen e ekipit të Vllaznisë në këtë ndeshje megjithatë vazhdojnë të besojnë tek ato.
Fati i keq ndoshta ka qenë kalendari shumë i fortë në ndeshjet e para por në ndeshjet e ardhshme pritet të vijnë edhe fitoret e para për këtë ekip në kampionat.
www.shkodrasport.com