Ekipi i Vllaznisë në volejboll për femra ka lënë pas një sezon jo shumë pozitiv duke u renditur në vendin e gjashtë në grupin A1 me vetëm 4 fitore të arritura në 14 ndeshje të luajtura. Drejtuesit e klubit kanë zhvilluar një analizë të hollësishme në lidhje me paraqitjen e çdo ekipi në këtë sezon dhe kuptohet që kanë analizuar edhe mundësitë për të përmirësuar situatën në sezonin e ri. Duke u ndalur tek ekipi i volejbollit të femrave, vetë shefi i klubit Vllaznia Mark Kroqi ka bërë të ditur se po shikohet mundësia e marrjes së një trajneri tjetër për këtë ekip.

“Në planet tona kemi bërjen e disa ndryshimeve në ekipe të ndryshme sa i takon trajnerëve. Kështu, tek volejbolli i femrave konstatojmë se pjesë e këtij ekipi janë një grup vajzash të reja dhe të talentuara që premtojnë shumë për të ardhmen. Këto vajza natyrisht që duan një trajnim të mirë dhe për këtë arsye, po bëjmë një marrëveshje me një trajner malazez sepse ajo që dalloj unë është se mungesa e rezultateve në disa ekipe nuk vjen nga sportistët por nga trajnerët. Këta të fundit nuk i përgjigjen ritmit e për këtë arsye, po mendojmë të ndryshojmë diçka. Duke nisur nga volejbolli i femrave, ku në rradhët e këtij ekip janë katër vajza të kombëtares me një moshë 21 vjeç. Ideja jonë është që në muajin gusht të marrim këtë trajnerin malazez për t’i stërvitur. Financimi për këtë trajner është gjetur deri në fund të dhjetorit dhe shpresojmë  ta mbajmë deri në fund të sezonit”- ka thënë shefi i klubit i cili vetë ka qenë një volejbollist shumë i njohur. Pyetja që lind natyrisht është ajo që ka të bëjë me trajneren aktuale Sadije Gogaj se çfarë do bëhet me të, do largohet apo do kalojë në ndonjë pozicion tjetër? Përgjigja e shefit Kroqi është e menjëhershme: “Jo nuk do të largohet përkundrazi ajo por edhe trajneret e të rejave dhe paratëreja kanë nevojë të kenë afër një trajner me më shumë përvojë prej të cilit mund të mësojnë. Nuk kemi luksin dhe mundësitë për të larguar njerëz, e rëndësishëm është të afrojmë njerëz sa më të talentuar”.

© shkodrasport.com