Ecuria e ekipit të volejbollit të të rejave të Vllaznisë vazhdon të jetë për rekorde.

Ai po kalon nga fitorja në fitore dhe për më tepër, ky ekip ende nuk ka humbur asnjë set!

Pas fitores ditën e parë ndaj “Duka Volley” me rezultatin 3-0, ditën e djeshme volejbollistet e reja të Vllaznisë kanë zhvilluar dy takimet e tjera çerekfinale.

Fillimisht janë ndeshur me Partizanin ndaj të cilit kanë fituar po 3-0 madje pa shumë vështirësi sepse kundërshtari në tre sete ka shënuar respektivisht nga 15, 14 dhe 9 pikë.

Ndërkohë, ndeshja e fundit në grup ka qenë ajo ndaj Skënderbeut. Në këtë takim ka patur më shumë rivalitet.

Sidomos në setin e parë që është mbyllur me shifrat 25-23 për Vllazninë. Vetëm kaq sepse dy setet e tjera janë fituar lehtë me shifrat 25-12 dhe 25-11.

Në këtë mënyrë, me tre fitore në tre ndeshje të luajtura, Vllaznia ka zënë vendin e parë në grup.

Interesant është fakti se tashmë ecuria e kësaj skuadre vazhdon të njohë rekorde të reja.

Në 13 ndeshje ka arritur 13 fitore dhe për më tepër me një setaverazh “të çmendur” prej 39 setesh të fituara dhe asnjë të humbur!

Skuadra e drejtuar nga trajnerët Ana Gjelaj dhe Ferdinand Bardeli është në pritje të ndeshjeve gjysmëfinale dhe finale dhe padyshim që objektivi është jo vetëm fitimi i titullit kampion por edhe vazhdimi i kësaj ecurie.
© shkodrasport.com