Nga Endri ÇINARI
Vllaznia nuk shkoi më shumë se një barazim në shifrat 0-0 ndaj Tiranës në duelin e javës së 29-të të Superiores. Një 90 minutësh që nuk u ngrit asnjëherë mbi nivelin mesatar të një ndeshjeje futbolli. Dhe që prodhoi shumë pak episode për tu mbajtur mend, duke lënë kështu shumë të zhgënjyer tifozët që kishin pritshmëri të larta për këtë “klasike”.
Por pavarësisht se Vllaznia nuk arriti të fitojë ndeshjen, kuqeblutë po ashtu nuk e humbën duelin. Tashmë shkon në 10 ndeshje rradhazi ku Vllaznia nuk pëson humbje. Duke theksuar këtu se disfata e fundit e ekipit të Brdariç shënohet në datën 26.01.2025, ku shkodranët mposhteshin nga Egnatia me rezultatin 0-2. Duel që vlente për javën e 22-të të kampionatit dhe vulosej nga golat e Lushkjes dhe Zejnullait.
Që nga ajo periudhë kanë kaluar 9 ndeshje mes kupës dhe kampionatit ku Vllaznia nuk ka pësuar humbje. Në këto 9 ndeshje megjithatë shkodranët shënojnë vetëm 3 fitore, këto ndaj Teutës 1-3, Bylis 3-0 dhe Partizanit në shifrat 2-0. Në të gjitha duelet e tjera shkodranët kanë shënuar plot 6 barazime, duke theksuar këtu edhe duelet çerekfinale të kupës kundër Elbasanit, ku 9 herë kampionët e vendit u kualifikuan pas gjuajtjeve të penalltive.
Një situatë që nuk mund të konsiderohet as pozitive, por as negative për ekipin kuqeblu. Që nëse nuk fiton, të paktën nuk mposhtet nga kundërshtarët. Pavarësisht se opinonin i ekspertëve të futbollit dhe tifozëve në qytet kërkojnë akoma më tepër nga ekipi i Brdariç.(www.shkodrasport.com)