Pas nisjes me fitore të kampionatit në javën e parë, ekipi I basketbollit të meshkujve të Vllaznisë do të kërkojë të bëjë të njëjtën gjë edhe në takimin e dytë, atë që do të luajë pasditen e së premtes në Tiranë ndaj Partizanit. Takimi do të luhet në pallatin e sportit “Asllan Rusi” dhe kuptohet që objektivi është I qartë për ta fituar atë.

Nisja shumë e mirë që ekipi shkodran I ka bërë këtij kampionati duke fituar ndaj Kamza Basket në takimin e parë të luajtur të hënën në Shkodër, ka motivuar edhe më shumë basketbollistët që të tregojnë vlerat e tyre më të mira në të gjitha takimet e ardhshme. Vetë trajneri Gjeçaj duket I kënaqur me nisjen që ekipi I bëri kampionatit dhe jo më kot ai vlerësoi edhe paraqitjen e Hutit, Bekteshit apo dhe të disa të rinjve të cilët kanë treguar vlera në këtë ndeshje.Luajtja me një përbërje me të gjithë basketbollistët shkodranë, është një mundësi që po u jepet atyre të tregojnë vlerat që kanë në mënyrë që në merkaton e janarit të mos kenë nevojë të marrin shumë basketbollistë të huaj për të mbrojtur titullin kampion. Pas ndeshjes me Partizanin, në javën e tretë, Vllaznia do të presë në Shkodër ekipin e Teutës para se të udhëtojë drejt kryeqytetit në javën e katërt për të luajtur me Tiranën, një tjetër ekip pretendent ku padyshim që do të matet forca e vërtetë e kuqebluve. Ndërkohë, faza e parë e kampionatit do të mbyllet me ndeshjen që do të luajë në Shkodër ndaj Flamurtarit. Kampionët në fuqi të Shqipërisë duket se kanë një mision të vështirë sivjet për të fituar për të tretin vit rradhazi titullin kampion megjithatë asgjë nuk është e pamundur.
Gjergj KOLA