Pasditen e nesërme në Mamurras, ekipi shkodran do të zhvillojë ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë ndaj skuadrës vendase. Një përballje në plan të parë e lehtë megjithatë nga stafi teknik i kuqebluve nuk do nënvlerësohet shumë. Sigurisht që në këtë takim nuk do të luajnë futbollistët të cilët mendohet të jenë titullarë në Korçë të shtunën ndaj Skënderbeut, megjithatë do jetë rradha për të luajtur e futbollistëve që deri më tani nuk kanë gjetur shumë hapësira.

Kështu, me shumë të ngjarë nesër në fushë do jetë portieri Selimaj, për të vazhduar me Vrapin, Pjeshkën, Dycën, Çinarin, Kalajën, Krujën, Dibrën, Erkoçeviq e të tjerë të cilët do të kenë mundësi të tregojnë vlerat e tyre dhe të bindin stafin teknik në mënyrë që të synojnë një vend në formacion në takimet e ardhshme. Nga ana tjetër, paradreke trajneri Cungu bashkë me stafin e tij do të jetë në stërvitje me grupin e titullarëve dhe menjëherë pas kësaj seance, do të udhëtojnë drejt Mamurrasit për takimin e Kupës. Një zgjidhje ka qenë për të qëndruar njëri prej trajnerëve në Shkodër për të kryer stërvitjen me grupin e titullarëve por Cungu ka dashur të jetë vetë i pranishëm edhe në krye të stërvitjes, edhe në ndeshje dhe prandaj është vendosur në këtë mënyrë. Objektivi është i qartë: të mbyll punë me Mamurrasin që në takimin e parë.

© shkodrasport.com