Të shtunën pasdite, ekipi i Vllaznisë do të zhvillojë një tjetër ndeshje miqësore. Këtë herë përballë saj do të jetë Otrant i Ulqinit. Drejtuesit e të dy klubeve kanë rënë dakord për zhvillimin e kësaj ndeshje, nesër në orën 18.00 në Ulqin. Në fillim kishte një dilemë nëse do të luhej atje apo në Shkodër, por në fund është vendosur në qytetin bregdetar malazez. Vllaznia deri më tani ka zhvilluar tre ndeshje miqësore. Të parën e ka luajtur në Tuz ndaj Deçiçit dhe e ka fituar me rezultatin 2-1. Të dytën e ka luajtur në Tivar ndaj Mornarit dhe e ka fituar 1-0 ndërsa të tretën, atë të luajtur pasditen e së mërkurës në Shkodër ndaj Deçiçit, e ka barazuar 0-0 .
Tashmë mbetet për t’u parë rezultati i kësaj ndeshje ndaj kundërshtarit tjetër malazez. Në përballjen e nesërme me Otrant do të luajë me kuqeblutë edhe mesfushori kosovar Yll Hoxha. Ai ka mbërritur pasditen e së enjtes në Shkodër dhe ka arritur një akord paraprak me drejtuesit e klubit ndërkohë që në ditët në vijim pritet edhe hedhja e firmës në kontratë që duket se është një formalitet. Ai konsiderohet një përforcim i rëndësishëm për skuadrën por gjithsesi duhet parë se si do të përshtatet me pjesën tjetër të saj. Për momentin me kuqeblutë nuk ka ndonjë lojtar tjetër të huaj të ardhur për provë sepse të gjithë ata që ishin, janë larguar. Vllaznia gjithsesi ka ende nevojë për përforcime, sidomos në repartin e sulmit ku ende nuk është gjetur njeriu- gol.
© shkodrasport.com