Skuadra shkodrane gjen miqësoren e parë. Ndonëse përballë nuk do të jetë ndonjë kundërshtar i një niveli të lartë, e rëndësishme është që Vllaznia do të luajë të parën miqësore dhe ndoshta të vetmen në përgatitoren malazeze. Fakti që në këtë vend kanë nisur kampionatet e Superligës dhe ato të kategorisë së parë, ka bërë që të jetë e pamundur të luhet ndonjë takim ndaj tyre.

Për këtë arsye, e vetmja zgjidhje ka qenë gjetja e një kundërshtari të kategorisë së tretë. Kuqeblutë pasditen e së premtes do të ndeshen me ekipin Petnjica. Natyrisht që ky do të jetë një test kolaudues për kuqeblutë që gjithsesi nuk duhet të bazohen plotësisht tek rezultati dhe loja që do të zhvillohet pasi kundërshtarët në të ardhmen do të jenë shumë më të fortë.
© shkodrasport.com