Për kuqeblutë vjen dhe miqësorja e tretë në këtë përgatitore. Pasditen e nesërme, në orën 18.00 në stadiumin e qytetit të Tuzit të Malit të Zi, Vllaznia do të ndeshet me skuadrën vendase të Deçiçit që në kampionatin e ri do të jetë sërish pjesmarrëse në Superligën malazeze. Kjo miqësore do t’i shërbejë stafit teknik të skuadrës shkodrane për të parë edhe njëherë tjetër ndryshimet në skuadër. Janë tre lojtarë në provë, kosovarët Arifaj, Gavazaj e Ramadani dhe kuptohet që përballja e nesërme do të jetë një test i rëndësishëm për fatin e tyre të mëtejshëm. Po ashtu edhe për disa lojtarë të rinj shkodranë që janë duke u stërvitur prej ditësh tek Vllaznia për të cilët ende nuk është vendosur se çfarë do bëhet me ta, do qëndrojnë apo jo në skuadër edhe për sezonin e ri. Miqësorja ndaj Deçiçit do të jetë mundësia që kuqeblutë të marrin fitoren e parë në këto miqësore. Kjo ngaqë ato i kanë humbur dy ndeshjet e kaluara, pikërisht 0-1 ndaj malazezëve të Zetës dhe 1-2 ndaj Kastriotit të Krujës. Takimi i nesërm do të jetë një mundësi për të testuar edhe njëherë tjetër lojtarët e ardhur në merkaton e kësaj vere të cilët duan më shumë kohë në dispozicion për t’u harmonizuar me pjesën tjetër të lojtarëve. Ndonjëri prej tyre ka shfaqur edhe probleme dëmtimesh dhe kjo e ka lënë atë jashtë skuadrës në miqësoret e fundit e për këtë arsye pritet me interes që skuadra të jetë e plotë sa më parë për të verifikuar forcën e vërtetë të saj kur ka mbetur edhe më pak se një muaj nga nisja e kampionatit.
www.shkodrasport.com