Nga Endri ÇINARI
Vllaznia mori rezultatin e katërt pozitiv rradhazi në javën që lamë pas. Shkodranët barazuan të shtunën ndaj Egnatias në transfertë në shifrat 1-1.Duel i zhvilluar në kuadër të javës së 13-të të Superiores. Në këtë mënyrë kuqeblutë pas 4 javëve të para të fazës së dytë kanë grumbulluar 8 nga 12 pikët e mundshme. Duke pasur këtu parasysh barazimet 2-2 ndaj Partizanit dhe 1-1 ndaj Egnatias. E po ashtu fitoret 3-4 kundër Tiranës dhe 2-0 kundër Skënderbeut.
Një formë me të vërtetë e mirë për shkodranët që janë “shpërblyer” nga ana e trajnerit Brdariç. Trajneri gjerman ka vendosur ta lërë tre ditë pushim skuadrën (dielë, hënë, martë). Në mënyrë që futbollistët të çlodhen pas një periudhe të ngjeshur me ndeshjen. Dhe të jenë sa më të freskët për ndeshjet e ardhshme në kampionat.
Gjithashtu ky pushim i “gjatë” i shkodranëve lidhet edhe me faktin se kampionati do jetë pushim këtë fundjavë. Kjo si shkak i angazhimir të kombëtares shqiptare të futbollit. Po ashtu gjatë këtyre ditëve do analizohet edhe gjendja fizike e disa futbollistëve të skuadrës. Fjala është për Deliun dhe Matouti, që mungojnë prej kohësh në kampin shkodran. Të dy lojtarët duket se i kanë lënë pas problemet e rënda fizike e tashmë janë në fazë rikuperimi për tu kthyer në formën optimale.
Patjetër këto ditë pushimi e gjithashtu ndalesa e kampionatit do jetë pozitive për ta. Në mënyrë që të kenë kohën e duhur për të marrë formën e tyre më të mirë dhe për të qenë nën urdhërat e trajnerit Brdariç./www.shkodrasport.com/