Pasditen e nesërme ekipi i Vllaznisë do të zhvillojë ndeshjen e rradhës, atë për kupë me Pogradecin. Interesant është fakti se për herë të parë pas shumë kohësh, skuadra shkodrane do të luajë në qytetin e saj, pikërisht në fushën sportive “Reshit Rusi” e cila është miratuar nga FSHF-ja për luajtjen e këtij takimi ashtu siç ndodhi edhe javën e kaluar kur aty u luajt Ada- Teuta po për kupë. Takimi i nesërm është vlerësuar maksimalish në kampin shkodran. Fakti që rezultati i nddeshjes së parë ka qenë 1-1, lë të hapur kualifikimin për të dy ekipet dhe kuptohet që pogradecarët duke parë momentin jo të mirë që po kalon Vllaznia do të tentojnë ndonjë mrekulli.
Për të mos ndodhur kjo, Grima dhe stafi i tij që janë caktuar për të drejtuar skuadrën në këtë periudhë deri në përzgjedhjen e trajnerit të ri, mësohet se kanë ndër mend të hedhin në fushë formacionin më të mirë në këtë ndeshje. Mbase mund të jetë ai formacion që do të luajë ditën e shtunë ndaj Kukësit. Ende nuk është shumë e qartë se çfarë do ndryshojë në skemë dhe në vendosje Grima në krahasim me Zmijanin megjithatë ky takim konsiderohet një mundësi shumë e mirë për kuqeblutë për të sigluar fitoren e parë sezonale dhe për të ndryshuar disi klimën në skuadër.
© shkodrasport.com