Ekipi i Vllaznisë pasditen e nesërme do të zhvillojë një ndeshje kontrolli. Ajo që bën përshtypje është se ky test nuk do luhet si zakonisht në fushën sportive “Reshit Rusi” apo atë të Shtojit, por në… Postribë. Ende nuk është bërë e ditur se përballë kujt do jetë Vllaznia, do të luajnë me njëri- tjetri ekipi i parë me atë të dytin, apo do ketë një test ndaj futbollistëve më të mirë të kësaj zone. Në fakt shkuarja në Postribë për të zhvilluar këtë seancë të rradhës, është plotësim i asaj çfarë presidenti Agron Çela kishte deklaruar që në ditën kur u zyrtarizua si president i Vllaznisë kur pat thënë se do ta çonte ekipin për t’u stërvitur në çdo lagje, rrugicë apo fshat ku ka një fushë futbolli. Do ta bënte këtë gjë, për të qenë më pranë tifozëve dhe për t’i ofruar ata edhe më shumë me skuadrën. Flitet se në ditët e ardhshme, skuadra mund të spostohet edhe në Barbullush apo dhe në ndonjë fshat tjetër. “Udhëtimi” i parë për Vllazninë duket se është ai i Postribës ditën e nesërme. Me siguri që të tjerë e presin në ditët e ardhshme.
www.shkodrasport.com