Skuadra shkodrane nesër në orën 11.00 do të grumbullohet për të zhvilluar seancën e parë stërvitore për vitin 2013. Ajo që të bën përshtypje është se në krye të kësaj skuadre do të jetë sërish trajneri Shpëtim Duro. Ai do paraqitet në stërvitje me idenë se do zbatojë kontratën pavarësisht se e di që ka pak shanse ta drejtojë atë në fazën e dytë. Ai është i qartë se gjërat kanë lëvizur kundër tij gjatë kësaj periudhe dhe pret vetëm vendimin për ta shkarkuar. Në stërvitjen e nesërme të kuqebluve pritet të jenë prezent të gjithë futbollistët që janë nën kontratë me këtë klub.

Mund të mungojnë vetëm Osmani, Hysa e Begaj që kanë disa kohë që nuk stërviten me skuadrën dhe po tentojnë të largohen prej saj të pakënaqur me vendimt që klubi ka marrë ndaj tyre. Edhe për disa ditë nuk pritet ndonjë ndryshim në skuadër sepse më parë se të ketë lëvizje lojtarësh dhe trajnerësh, duhet parë ndryshim në krye të klubit. Të gjitha këto enigma mund të fillojnë të marrin zgjidhje pas datës 9 janar. Vllaznia pritet të ketë jo pak lëvizje gjatë kësaj periudhe megjithatë për momentin asgjë konkrete nuk ka.
www.shkodrasport.com