Pas firmës së hedhur dy ditë më parë nga tre futbollistët e huaj, tek Vllaznia pritet që nga e hëna procesi I firmosjes së kontratave të vazhdojë edhe me futbollistët e tjerë.

Drejtuesit e klubit duhet të mbyllin bisedimet me futbollistët jabanxhinj që janë duke u provuar prej ditësh në Shkodër.

Duke filluar nga mbrojtësi vlonjat Valto Zeqaj, mesfushori elbasanas Dejvi Bilali dhe mesfushori lezhjan Silvio Zogaj.

Po ashtu, pritet kontrata edhe me Renato Malotën për të cilin është thënë se akordi është arritur. Të gjithë këta lojtarë mendohet të jenë pjesë e Vllaznisë në sezonin e ri dhe trajneri Lika duket se ka dhënë OK-in për marrjen e tyre.

Por një problem më vete është firmosja e kontratave me disa nga futbollistët shkodranë që kanë qenë pjesë e skuadrës edhe sezonin e kaluar.

Jo të gjithë kanë rënë dakord për kushtet e kontratës së re, megjithatë pritet që me të gjithë të arrihet një marrëveshje dhe ata të vazhdojnë të jenë pjesë e skuadrës edhe për sezonin e ri futbollistik.

Procesi I firmosjes së të gjitha kontratave do të vazhdojë nga e hëna dhe më pas, tek Vllaznia do të fillojnë të mendojnë veç për ndeshjen e së shtunës që vjen ndaj Korabit.

Kjo do të jetë sfida e parë e kampionatit të kategorisë së parë, kampionat në të cilin kuqeblutë kanë misionin e ngjitjes në Superligë.

Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë megjithatë me përforcimet e bëra, pritet që ato të bëjnë diferencën me ekipet e tjera pjesmarrëse.

Skuadra shkodrane nuk e ka vendin në këtë kategori dhe për këtë arsye, të gjithë pjestarët e saj duhet të jenë të vetëdijshëm.

www.shkodrasport.com