Vllaznia, nga kampionati shqiptar do vetëm Gilman Likën
Gjatë ditëve të fundit, në media janë përmendur shumë mundësi për marrjen e lojtarëve nga skuadra të kampionatit shqiptar. Por Vllaznia realisht duket se mendjen e ka vetëm tek një lojtar: Gilman Lika. Madje edhe për të, nuk është se mund të shpenzojë shumë sepse trajneri Vata nuk ka ndër mend të bëjë shpenzime të mëdha për merkaton. Flitet se shuma më e madhe që mund të shpenzohet për një lojtar, nuk do ta kalojë shifrën 25 mijë apo maksimumi 30 mijë euro. Ky çmim është I saktësuar dhe jashtë tij, e vështirë se mund të ketë ndonjë lëvizje. Përjashtim mund të bëhet vetëm për Gilman Likën. Për të, nëse do vishet kuqeblu në janar, mund të shpenzohet edhe pak më tepër. Të tjerë nga kampionati shqiptar nuk ka. Kjo është mëse e sigurtë. Fakti që drejtuesit shkodranë po tentojnë të provojnë serbë e brazilianë, do të thotë se ata kanë hequr dorë edhe nga futbollistë të tillë si Bekim Bala dhe Erjon Dushku. Këta lojtarë u deklarua kohë më parë se ishin në objektivin e Vllaznisë por duket se kërkesat e tyre të larta financiare, kanë bërë që Vllaznia të heqë dorë prej tyre. Tek Vllaznia nuk bëhet fjalë të paguhet kush në të ardhmen 4, 5 apo 6 mijë euro në muaj. Kjo ngaqë vetë trajneri Vata po kërkon të ruajë ballancat në skuadër. Aktualisht me kuqeblutë po luajnë futbollistë të të rinjve si Dema, Guri, Markolaj që nuk paguhen ende nga klubi ngaqë janë pjesë e ekipit U-19, po ashtu ka disa futbollistë që paguhen vetëm me 200 mijë lekë të vjetra dhe ata nuk janë të pakët por bëhet fjalë për Karakaçin, Tafën, Erkoçeviç, Bardulla, Shaba, Djepaxhia e Rexhepi, është sulmuesi Gjini tek I cili janë varur për momentin shpresat e kësaj skuadre që paguhet me vetëm 260 mijë lekë të vjetra në muaj, është mesfushori Hajdari me 400 mijë lekë e me rradhë të tjerët. Në një skuadër me kaq ndryshime të mëdha pagesash, sigurisht që trajneri Vata kërkon të ruajë raportet prandaj dhe ka vënë një kufi për pagesat e lojtarëve që do vijnë. Edhe serbët e brazilianët që do jenë në provë, nëse e kalojnë atë, nuk do paguhen më tepër se 25 apo ndoshta më së shumti edhe 30 mijë euro për një sezon. Përjashtim thamë do bëjë vetëm Gilman Lika. Me të, Vata kërkon të rregullojë mesfushën e skuadrës së tij prandaj dhe do ia vlente një sakrificë në kontratën për të. Për momentin, ai është I vetmi lojtar që kërkohet me ngulm nga trajneri aktual I Vllaznisë. Të tjerë nga kampionati shqiptar as që nuk bëhet fjalë. Me këtë që po themi, bien poshtë hipotezat për Balën, Dushkun, Shtubinën, Prognin e ndonjë tjetër që mund të jetë folur në media.