Skuadra shkodrane ka arritur të marrë sot një trepikësh me shumë vlerë në Peshkopi ndaj Korabit. Goli i mbrojtësit Zeqaj në fillimin e pjesës së dytë i ka mjaftuar Vllaznisë për ta fituar këtë ndeshje me rezultatin 1-0 dhe tashmë rruga e saj drejt Superligës është gjithnjë e më pranë.

Në pjesën e parë ndonëse loja është kontrolluar vazhdimisht nga futbollistët shkodranë, ata nuk ia kanë arritur dot të shënojnë dhe për këtë arsye, pjesa e parë është mbyllur në barazim 0-0.

Krej ndryshe do të ishte e dyta. Që në minutën e 49-të rezultati do të zhbllokohej. Mbrojtësi Valto Zeqaj lihet i lirë i pambuluar brenda zonës nga mbrojtësit dibranë dhe ai nuk heziton ta dërgojë topin në rrjetë.

Pas këtij goli pati njëfarë zgjimi të vendasve të cilët duke mos qenë dakord me disavantazhin, u munduan të hidhen në sulm megjithatë pa sukses sepse futbollistët kuqeblu kanë kontrolluar gjithçka.

Përfundimisht 1-0 për Vllazninë e cila me këtë fitore e ka çuar në 9 pikë diferencën me ndjekësin më të afërt, Erzenin i cili do ta luajë ndeshjen e rradhës ditën e nesërme ndaj Besëlidhjes në Lezhë.
© shkodrasport.com