Vllaznia do të ndërhyjë fuqishëm në merkato dhe lëvizjet e ditëve të fundit po e konfirmojnë. “Panorama Sport” ka zbuluar nga burime të sigurta në klubin shkodran se drejtuesit e rinj i kanë bërë një ofertë tunduese yllit të Skënderbeut, Dejvi Bregu.

Lojtari vlonjat ka dalë i lirë pas përfundimit të sezonit, pasi i ka skaduar kontrata me bardhekuqtë. Mësohet se persona të autorizuar nga donatori Alban Xhaferi kanë bërë një takim me vlonjatin dhe i kanë paraqitur ofertën në tavolinë.

Gjithsesi, është herët për të thënë nëse Bregu do të pranojë, pasi me sa duket, ka plane të tjera për të ardhur. Së fundmi vlonjati ka pritur një sinjal nga Kroacia, aty ku menaxherët e tij po punojnë për ta transferuar. Megjithatë, oferta e Vllaznisë është zyrtare dhe në rast se Bregu nuk gjen një skuadër jashtë Shqipërisë që të plotësojë kërkesat e tij, atëherë opsioni për t’u transferuar në Shkodër është i mundshëm.

Ndërkohë, edhe nga ekipet e kryeqytetit, Partizani e Tirana, ka interesim konkret, por kjo mbetet për t’u parë. E sigurt është që Vllaznia, me afrimin e donatorit Xhaferi, si dhe pas emërimit të drejtorit sportiv, Matko Djarmati, po mundohet të mbyllë sa më shpejt kontratat me lojtarët që synon të afrojë.

Objektivi është i qartë: ndërtimi i një skuadre pretendente për Kupat e Europës. Kësisoj, do të tentohet afrimi i lojtarëve më të spikatur të kampionatit, duke pretenduar se do të bëhet diferenca në aspektin financiar.