Kur kanë mbetur edhe tre ndeshje deri në fund të vitit, synimi parësor i skuadrës së Vllaznisë është që të grumbullojë sa më shumë pikë. Në kalendar janë të programuara që të luhen edhe tre sfida të tjera, teksa në lojë janë ende edhe 9-pikë. Kuqeblutë do të përpiqen që për momentin të grumbullojnë ato pikë që t’i garantojnë të paktën pozicionin që mbajnë aktualisht në renditje, mesin e tabelës.
Me ecurinë që kanë pasur në ndeshjet e fundit duket një mision i vështirë për t’u arritur, por gjithsesi kujdesi duhet të jetë maksimal në ndeshjet në vazhdim, për të mos rënë sërish në ato pozita, ku kanë qenë në disa javë. Në fakt, që të ruhen këto pozita, një gjë e tillë kërkohet deri në hapjen e merkatos së janarit, sepse më pas, skuadra do të hyjë në merkato.
Vazhdimisht, klubi ka qenë duke evidentuar futbollistë që mund t’i bëjnë punë skuadrës për t’u përforcuar. Në klubin kuqeblu shpresohet që ndonjë futbollist i ri në moshë të spikasë dhe pse jo të fitohet nëpërmjet shitjes së tij në të ardhmen.
Me pak fjalë, duke marrë parasysh se kampionati sa vjen e bëhet më i fortë dhe grupi ka nevojë për t’u përforcuar që të përballohet një garë e vështirë si kjo e këtij sezoni. Megjithatë, deri në merkaton e dimrit, ka ende kohë dhe mbetet për t’u parë nëse do të kryhen lëvizjet e menduara për t’u kryer./SHKODRA-SPORT.COM/