Java në të cilën kemi hyrë sot do të jetë vendimtare për fatet e Vllaznisë në merkato. Ajo ende nuk ëshët plotësuar ashtu si duhet me lojtarët e kërkuar nga ana e trajnerit dhe në kushte të tilla duhet pritur edhe shtatë ditë për të mësuar mbi lëvizjet përfundimtare të kuqebluve. sigurisht që nuk pritet ndonjë surprizë e madhe por e rëndësishme është që të bëhet një lëvizje. Sidomos në sulm. Ky repart ka nevojë për një futbollist cilësor. Prova e malazezit Cetkoviç duket se mori fund me testimin e bërë në ndeshjen e kontrollit të së shtunës. Pas tij mund të vijë edhe ndonjë tjetër sërish për t’u parë. Kjo në fakt nuk është shumë normale sepse sulmeusi që mund të vijë, ndoshta shkëlqen në seancat e kësaj jave dhe pas firmosjes së kontratës dhe federimit me kuqeblutë, mund të rezultojë një dështim i madh dhe kjo do kishte kostot e veta. E vetmja mundësi për të mos dështuar ndoshta është ardhja e dy shkodranëve, Vucajt dhe Nimanit por kjo lëvizje ka shumë vështirësi për t’u realizuar.
Kërkesat
Trajneri Agim Canaj i ka bërë të qarta kërkesat e tij në adresë të drejtuesve të klubit. Një mesfushor qendre dhe një sulmues janë të domosdoshëm për skuadrën. Se ku do gjenden, as ai vetë nuk e di. Çdo ditë komunikon gjatë me drejtorin sportiv Armir Grima pikërisht për këtë çështje. Rrahin shumë mendimi, diskutojnë shumë mundësi, kontaktojnë me shumë njerëz megjithatë ende nuk e kanë të qartë se çfarë do ndodhë deri më 31 gusht që është afati i fundit i mbylljes së merkatos. Në kushte të tilla, trajneri i kuqebluve e ka gati skuadrën me futbollistët aktualë teksa ka filluar të mendojë për ndeshjen e së shtunës me Flamurtarin. Nëse vjen ndonjë futbollist tjetër, gjërat mund të ndryshojnë. ka shumë dilema për këtë çështje. Vllaznia ende nuk është e kompletuar me lojtarët e duhur. Nisja vonë e punës dhe financat e reduktuara, kanë bërë që edhe mundësitë e përzgjedhjes në merkato të futbollistëve të jenë të limituara. Megjithatë do të tentohet deri në fund. Shanset janë që me skuadrën të firmosë ndonjë futbollist i huaj. Për Vucajn dhe Nimanin, këto shanse janë shumë të pakta, megjithatë ekzistojnë dhe drejtuesit kuqeblu do të tentojnë deri në fund. nëse arrihet kjo gjë, do ishte një goditje shumë e rëndësishme.
Objektivat
Drejtuesit e klubit i kanë bërë të qarta ato. Sivjet nuk do të ketë shumë pretendime. Objektivi është që të qëndrojnë në kategori dhe të renditen në një pozicion sa më komod. Ky do të jetë viti i konfirmimit të shumë emrave të rinj dhe sezonin e ardhshëm pastaj puna do të jetë më e lehtë. Edhe objektivat njëkohëssiht më të mëdha. Fakti që me të gjithë futbollistët janë firmosur kontrata njëvjeçare, e konfirmon më së miri këtë gjë. Nëse gjatë kësaj jave, Vllaznia nuk gjen ndonjë lojtar në merkato, pozitat e saj në kampionatin e ri nuk do jenë shumë të forta dhe parashikohet një rrugë shumë e vështirë. Por nëse vjen një apo dy futbollistë cilësorë, atëherë do të ketë pretendime edhe për një vend në Kupat e Europës ndoshta. Prandaj dhe deri në fund të kësaj jave askush nuk mund të të flasë me siguri për atë se çfarë do ndodhë tek skuadra shkodrane. Gjithçka mund të ndodhë. E rëndësishme është se të gjithë pjestarët e klubit dhe ato të stafit drejtues janë të angazhuar maksimalisht për të bërë më të mirën në këtë periudhë para nisjes së kampionatit të ri.
Gjergj KOLA