Në Shkodër kanë filluar të bëjnë planet për merkaton. Emrat e parë kanë filluar të përfliten edhe në media por në fakt drejtuesit e Vllaznisë nuk kanë dëshirë që t’i kushtojnë rëndësinë e duhur kësaj çështje. Të paktën publikisht sepse sipas tyre, nëse përmenden emra atëherë do të ishte keq sepse lojtarët e piketuar mund të bëhen pastaj edhe objekt i merkatos së ekipeve të tjera. Por trajneri Gjoka ka edhe një “merak” tjetër, atë se gara ende vazhdon dhe nuk është normale që të bisedohet për lëvizje lojtarësh në këtë periudhë.

“Dëshirat janë shumë të mëdha. Ne po punojmë por të gjithë lojtarët janë në aktivitet. E pa mbaruar aktiviteti nuk është edhe profesionale dhe logjike dhe normale për të dhënë emra. Nuk na pëlqen të japim emrat e lojtarëve për të cilët jemi të interesuar sepse kjo na prish punë. Por të jeni të bindur se për çdo zyrtarizim, të parët do jeni ju që do ta merrni vesh”- u ka thënë trajner Gjoka gazetarëve. Kjo do të thotë se Vllaznia po mundohet të bëjë “merkato me silenciator” dhe mbase duke vepruar në këtë mënyrë, mund t’ia dalë.

© shkodrasport.com