Paraditen e së premtes ekipi i Vllaznisë ka nisur stërvitjet për vitin 2019. Në seancë e parë stërvitore të zhvilluar në fushën sportive “Reshit Rusi”, trajnerët Lika, Osja e Lekiqi nuk i kanë patur në dispozicion të gjithë futbollistët. Kjo ngaqë disa nga lojtarët joshkodranë të saj kanë munguar.

Bëhet fjalë për mbrojtësin rumun Ignat i cili ndodhet ende në vendin e tij ku ka kaluar festat e fundvitit si dhe për lezhjanin Malota dhe elbasanasin Bilali. Nëse i pari ka qenë me leje, për këta dy të tjerët ende nuk ka një informacion nëse kanë njoftuar stafin për mungesën apo jo.

Dilemat shtohen sidomos për mbrojtësin Renato Malota për të cilin dy ditët e fundit flitet për një ofertë të ekipit të Kamzës në adresë të tij. Ish- trajneri i Vllaznisë Ernest Gjoka që është tashmë në timonin e kësaj skuadre, dëshiron ta ketë në dispozicion për gjysmën e dytë të sezonit. Por ndërkohë ende nuk dihet nëse vetë lojtari ka dëshirë të largohet apo jo.


Përpos kësaj, mbrojtësi shtatëlartë nuk është e sigurtë nëse do të lejohet nga drejtuesit kuqeblu për t’u larguar sepse ka kontratë me ta. Ai konsiderohet një pikë e rëndësishme për prapavijën dhe kurrsesi dëshira nuk është për ta lënë të lirë.

Trajneri Lika ka kërkuar përforcime në ekip sepse e parashikon garën në gjysmën e dytë të sezonit shumë të vështirë dhe nëse do të kishte largime të titullarëve, gjërat do të vështirësoheshin. Vërtetë Vllaznia është shtatë pikë larg ndjekëses më të afërt, megjithatë asgjë nuk është siguruar dhe drejtuesit shkodranë nuk kanë ndër mend që të tolerojnë në këtë mënyrë.

Për këtë arsye, duhet të presim zhvillime të reja në ditët e ardhshme sepse përveç lojtarëve që duan të largohen, ka edhe të tjerë që kanë shprehur dëshirën për t’u ofruar tek Vllaznia.
© shkodrasport.com