Vllaznia kaloi edhe Bylisin me sukses dhe kryeson sërish e vetme renditjen e Kategorisë Superiore edhe pas javës së gjashtë të saj. Një ecuri që po i bën tashmë të gjithë se nuk kemi të bëjmë me ndonjë surprizë, por me një skuadër që është ndërtuar për të qenë e suksesshme.
Pavarësisht pak minutave të fundit kur skuadra u tërhoq duke i dhënë terren kundërshtarit, duhet thënë se ndaj ballshiotëve Vllaznia ka bërë një ndeshje të mirë. Një tregues ky që gjërat po funksionojnë në mënyrën e duhur.
E nëse Bylis kaloi, në kampin shkodran nga sot kanë nisur të mendojnë për sfidat e rradhës. Java që do të hyjnë, do të jetë shumë e rëndësishme për fatet e mëtejshme të Vllaznisë në kampionat. Të mërkurën ajo do të luajë në Kamëz ndaj Kastriotit, njërës prej dy skuadrave që ende nuk e njeh shijen e humbjes deri tani.
Ndërkohë të dielën më pas, ekipi shkodran do të presë në “Loro Boriçi” ekipin e Partizanit. Do jenë 180 minuta shumë të rëndësishme dhe vendimtare për ecurinë e mëtejshme të tij në kampionat. Fokusi gjithsesi do të jetë i përqendruar tek sfida e së mërkurës me krutanët.
Skuadra e Vllaznisë edhe në këtë ballafaqim do të jetë me mungesa dhe kuptohet që kjo i prish jo pak punë stafit, për më tepër që edhe trajneri Brdariç nuk është e qartë nëse do të bashkohet me të për shkak të gjendjes shëndetësore apo jo./SHKODRA-SPORT.COM/