Vllaznia nis të shtunën turin e forcës, ku do të ketë përballë Dinamon. Kuqeblutë vijnë pas disa rezultatesh pozitive në këto gjashtë javë të para, ku vijojnë të kryesojnë me 13-pikë. Përballja me Dinamon shihet si tepër e rëndësishme në kampin kuqeblu, pasi ekipi i Ilir Dajës me paraqitjet e javëve të fundit, ka treguar se mund të jetë ndër pretendentët kryesorë të këtij sezoni.
Gjithsesi, tani nisin ndeshjet në transfertë, në të cilat do të shihet se deri ku mund të shkojnë kuqeblutë ose e thënë më ndryshe, ndeshjet që do të tregojnë forcën reale të ekipit. Kështu mund të thuhet, pasi nga tre përballjet e mbetura të kësaj faze, tre janë me ekipe të forta në shtëpitë e tyre, siç janë Dinamo, Elbasani dhe Laçi.
Në fakt dihet që kjo e fundit është për të gjitha skuadrat një ndër fushat më të vështira të Superiores. Jashtë fushe do të kenë edhe sfidën me elbasanasit. Tre ndeshje “zjarr”, ku edhe pse bëhet fjalë vetëm për fazën e parë, do të jenë një tregues në mbyllje të saj.
Maringlen ZHIVANI