Ekipi I basketbollit të meshkujve të Vllaznisë është nisur paraditen e së hënës për në Kosovë ku nesër pasdite do të zhvillojë ndeshjen e parë të Ligës Ballkanike me ekipin Sigal Prishtina. Ky I fundit konsiderohet një nga më të mirët e kësaj Lige dhe pretendent për ta fituar atë dhe kjo padyshim e bën shumë të vështirë marrjen e një rezultati pozitiv për shkodranët.

Trajneri Bledar Gjeçaj e ka të qartë këtë gjë megjithatë shprehet se ekipi që ai drejton do të mundohet të bëjë më të mirën në këtë ndeshje, me objektivin pastaj që në takimet që do luajë në Shkodër, të bëhet një pengesë e fortë për çdo kundërshtar. “Do jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne sepse luajmë përballë një ekip shumë të fortë që është pretendenti kryesor për ta fituar Ligën Ballkanike sivjet. Ju kujtoj faktin që mbrëmë u zhvillua një ndeshje miqësore në mes Sigal Prishtinës dhe Pejës, edhe ky ekip pjesmarrës në këtë Ligë dhe kundërshtari jonë fitoi me 30 pikë diferencë. E rëndësishme për ne është që të përfaqësojmë sa më denjësisht basketbollin shqiptar  dhe ju premtoj se në ndeshjet në Shkodër do jemi një kockë e fortë për të gjithë ekipet”- ka thënë ai para nisjes.Ndeshja Sigal Prishtina- Vllaznia ka qenë e planifikuar për t’u luajtur të martën në orën 18.00 por për shkak të ndeshjes së kombëtares shqiptare të futbollit me Serbinë, orari ka ndryshuar dhe ajo do të nisë në orën 17 e 15 minuta. Pavaresisht kesaj, e rendesishme eshte qe basketbolli shkodran te beje nje paraqitje dinjitoze ne kete kompeticion shume te rendesishem.
© shkodrasport.com