Dita e sotme do jetë e veçantë për Vllazninë. Ajo do të luajë ndaj Kukësit, një ndeshje që konsiderohet shumë e vështirë por edhe e rëndësishme për ecurinë e saj të mëtejshme, por nga nga ana tjetër kuqeblutë janë të detyruar të fitojnë. Arsyeja është se pikërisht sot është ditëlindja e saj, 94 vjetori I themelimit. 16 shkurti kësisoj vjen ne nje moment shume interesant
Vllaznia- Kukësi. Ndeshja e pasdites ka shumë vlera dhe rëndësi. Vllaznia e ka nisur mbarë vitin 2013 me ndryshimet  e fundit të saj si në pankinë ashtu edhe në drejtimin e klubit.


E ka nisur mbarë me fitoren në Korçë ndaj Skënderbeut kryesues por me po të njëjtën mënyrë e ka nisur edhe Kukësi që ka fituar në Gjirokastër. Sfida është shumë interesante por ajo që presin të gjithë është një fitore e Vllaznisë. Ajo luan në fushën e saj, përpara tifozëve të saj, e ka një ndeshje vendimtare për të ardhmen dhe përpos të gjitha këtyre arsyeve, duhet të fitojë edhe për ditëlindjen e saj. Në mënyrë që festa në stadium por edhe jashtë tij pas ndeshjes, të bëhet edhe më e bukur.

Kupa “Xhelal Juka”. Para ndeshjes Vllaznia- Kukësi që do luhet pasdite në orën 17.00, një tjetër sfidë interesante do jetë ajo e paradites që do zhvillohet në mes gazetarëve sportiv shkodranë dhe atyre të TVSH-së. më shumë sesa rëndësia e zhvillimit të kësaj ndeshje, është arsyeja e zhvillimit, pikërisht për të nderuar një emër të madh të futbollit shkodran dhe atij shqiptar, pikërisht Xhelal Jukën të ndarë nga jeta një vit më parë. Një nderim që do vijë sot, në ditën e 94 vjetorit të klubit Vllaznia dhe prandaj ajo merr edhe më tepër vlera. Pritet që të jenë të pranishëm një numër I madh veteranësh të futbollit shkodran, për të nderuar mësuesin e tyre por edhe të festuar ditëlindjen e Vllaznisë.
Karnevalet. Java që po mbyllet ka qenë java e karnevaleve, një festë për të cilën Shkodra është dalluar gjithmonë për organizime të ndryshme shumë të bukura. E duke qenë ditë festash, drejtuesit e Vllaznisë kanë menduar që një grup I karnevaleve të jetë I pranishëm edhe në stadiumin “Loro Boriçi” në momentet para fillimit të ndeshjes. Kjo edhe për t’I dhënë ngjyra më emocionuese 94 vjetorit të krijimit të klubit Vllaznia. Megjithatë, asnjë nga këto gjëra nuk vlejnë nëse kuqeblutë në fushën e lojës nuk do marrin një fitore sot ndaj Kukësit. Ajo do jetë dhurata më e bukur për ditëlindjen e klubit shkodran.
Gjergj KOLA