
Mbrojtja. Alternativa ka por mbase edhe një lojtar me përvojë i duhet kësaj skuadre. Në të djathtë do luajë Gocaj dhe alternativë është edhe Rexha, në qendër mund të ketë një dyshe të përbërë nga Beqiri dhe Sykaj, bashkë edhe me Krajën të gatshëm, ndërsa në të majtë mund të luajë Semina. Pritej të ishte një opsion edhe Baci por ky i fundit ende nuk është paraqitur në stërvitje me kuqeblutë ndonëse ka edhe një vit kontratë me Vllazninë. Me këta lojtarë, reparti i mbrojtjes duket i plotësuar por problem mbeten alternativat sepse ata janë lojtarë shumë të rinj dhe pa përvojën e duhur megjithatë mund të rriten nga dita në ditë nëse ju besohet më tepër dhe trajneri Canaj i ka garantuar se do t’ u besojë atyre.
Mesfusha. Shtubina dhe Hajdari për momentin mund të mbulojnë krahët ndërsa në qendër do ketë rivalitet. Dyshja më e mundshme mund të jetë ajo Tafili- Bardulla por ka edhe ndonjë opsion tjetër me Karakaçin, Tafën e ndonjë futbollist tjetër. Ky repart do ketë një moshë mesatare të re ndoshta por me futbollistë të cilët premtojnë shumë. Vetë futbollistët e tij e kanë të qartë se pritet shumë prej tyre. Prandaj dhe e kanë marrë shumë seriozisht edhe stërvitjen e këtyre ditëve. Për të qenë në lartësinë e duhur. Megjithatë duhet pranuar fakti se skuadrës I mungon një lider I vërtetë në këtë repart. Mbase nga merkatoja mund të vijë ndonjë futbollist cilësor por shanset që të ndodhë kjo janë të vogla nisur edhe nga ana financiare e dobët që ka klubi për momentin.
Sulmi. Edhe në këtë repart ka nevojë për një lider të vërtetë. Aktualisht të gatshëm janë vetëm Gjini, Guri, Erkoçeviç dhe Idrizi I ardhur nga ekipi I të rinjve. Duhet patjetër edhe një futbollist me përvojë. Mundësia e ardhjes së kosovarit Rexha, mund t’I shtojë pak vlerat këtij reparti por gjithsesi duhet parë se si do të shkojnë gjërat edhe këtu. Vllaznia është një skuadër në ndërtim prandaj dhe kuqeblutë do kenë jo pak vështirësi deri në momentin e nisjes së kampionatit.
Gjergj KOLA
Sot kuqeblutë rinisin stërvitjen me tone të larta
Skuadra shkodrane duke filluar nga paraditja e sotme do të rinisë sërish stërvitjen e saj sërish me tone të larta. Trajneri Canaj do të vazhdojë edhe gjatë gjithë kësaj jave, stërvitjen me dy seancë në ditë. Paraditen e sotme ekipi I Vllaznisë do të jetë në fushën stërvitore të Shtojit për të vazhduar punën duke iu përkushtuar sërish aspektit fizik. Pasdite ndërkohë do të punohet më tepër me topin. Në këto seanca, pritet që numri I futbollistëve në dispozicion të stafit drejtues të mos jetë më I madh se 30. Të tjerët që u provuan gjatë javës së kaluar, nuk do jenë më në stërvitje, me përjashtim të faktit se ndonjëri që është pëlqyer mund të thirret me telefon.