Opinion nga Mejdan ZHIVANI
Ashtu siç rrodhën ngjarjet në sezonin e kaluar tek Vllaznia, pak kush besonte se për sezonin e ri do të kishim një ekip ndryshe, aq më tepër të “formatuar” për të qenë pretendent. Të paktën, lëvizjet e deri tanishme, të krijojnë një përshtypje dhe ide të qartë se kjo Vllazni është ndërtuar dhe po ndërtohet me kujdes për të qenë vërtetë pretendente. Nisur nga emrat në pankinë, kontigjenti i lojtarëve që është ruajtur nga sezoni i kaluar, por edhe afrimet e deritanishme, numri i cilave ka arritur në shtatë, i kanë mbushur të gjithë me optimizëm në Shkodër dhe përtej saj, ndoshta edhe ata më spektikët. Pavarsisht se në fillim dukej e pamundur që kuqeblutë “formatoheshin” kaq shpejt me lojtarë me eksperiencë, por edhe të rinj, me lojtarë shqiptarë dhe të huaj, ajo ka ndodhur tashmë. Duket se drejtuesit e klubit shkodran kanë nxjerrë mësimet e duhura nga sezoni i kaluar, që rezultoi i dështuar dhe kësaj radhe kanë operuar me kujdes në të gjitha drejtimet, pa bërë shumë zhurmë. Me Shpëtim Duron në pankinë, e me lojtarë të tillë si E. Beqiri, Osmani, Smajli, Nallbani, Vujadinoviç, Shtubinën, Dragoi, Gocaj, Sykaj, Hasanin, Hajdarin, Deliç ( që deri tani trajneri është shumë i kënaqur me formën e paraqitur prej tij) e mjaft të tjerë, është krijuar një ansambël i kendshëm dhe tërheqës, që do t’i kishtë zili çdo skuadër dhe askush nuk mund të thotë se nuk është pretendente. Dhe nëse do të arrihet të harmonizohen apo ndërthuren të gjithë elementët e tyre, mes njëri-tjetrit, duke u marrë maksimumin, atëherë Vllaznia do të jetë pa diskutim një nga skuadrat pretendente për dy trofetë e futbollit shqiptar në sezonin futbollistik 2012-2013. Megjithatë kuqebluve, për t’u kompletuar përfundimisht si një skuadër e denjë për trofe, u duhet me çdo kusht dhe një sulmues cilësorë. Pavarsisht se në radhët e ekipit shkodranë janë disa futbollistë që e njohin mjaft mirë portën dhe kanë prirje dhe cilësi të veçanta për të skuadër drejt saj, gjithsesi roli i një sulmuesi cilësor dhe i mirëfilltë apo pozicioni i tij tek kuqeblutë është shumë i domosdoshëm. Kështu deri tani skuadra shkodrane ka thyer të gjitha parashikimet apo hamendësimet dhe është ndërtuar për të qenë pretendente, pa bujën dhe zhurmën e zakonshme të merkatos, siç ndodhë gjithnjë në Shqipëri, e në mënyrë të veçantë tek Vllaznia. Por kësaj të fundit, i duhet edhe një sulmues dhe atëherë gjithçka është gati. Të paktën, kjo është përshtypja e parë për këtë Vllazni të re, që është edhe vetëm fillimi, por që duhet vazhduar me punë cilësore në të gjitha drejtimet, me këmbëngulje e shpirtë të lartë gare, por edhe me profesionalizëm nga të gjitha anët. Por duhet kujdes!