Vllaznia është me momentin më të mirë në kampionat, teksa ka “korrur” 5 fitore rradhazi në Superiore. Për shkodranët nuk ka kohë për të festuar, pasi të mërkurën do të zbresin sërish në fushën e lojës për të kërkuar një tjetër fitore.
Këtë herë do të luajnë për llogaritë e Kupës së Shqipërisë. Kuqeblutë do të përballen me Flamurtarit në “Loro Boriçi” dhe do të bëjnë mes tyre llogaritë e fazës së 1/8-ave të Kupës.
Përballje me një takim dhe fitorja është shumë e rëndësishme për të kaluar në fazën tjetër.
Përballë do të ketë kuqezinjtë, një nga kundërshtarët që prej vitesh i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar, por këtë herë vlonjatët luajnë në Kategorinë e Parë.
Ekipi i drejtuar nga Qatip Osmani ka nisur kështu nga puna për duelin me Flamurtarin, teksa lajm i mirë është se do të jenë të gjithë lojtarët të gatshëm, në takimin që do të startojë në orën 17:00.