Gjashtë javët e para të kampionatit të kategorisë së parë kishin krijuar përshtypjen se Vllaznia ishte e pathyeshme por në fakt sot ajo tregoi se nuk është krejt e tillë.
Vërtetë nuk u mund nga Shënkolli por edhe barazimi ka qenë një rezultat jo i pritshëm për kuqeblutë. Ata u treguan jo në lartësinë e duhur në këtë përballje.
Sidomos pjesa e parë ka lënë shumë për të dëshiruar për skuadrën shkodrane. Dy- tre momente që u krijuan nga bashkëpunimet e Zhunior me Bilalin dhe Hajdarin, nuk sollën rrezikshmërinë e kërkuar para portës së Danajt.
Krejt ndryshe pjesa e dytë. Vllaznia ka qenë shumë pranë golit 5-6 herë por nuk ia doli. Zeqaj dy herë ka qenë shumë pranë shënimit të tij, po ashtu edhe Ignat, Krymi, Zhunior por edhe Zogaj e Tafili.
Në një moment ky i fundit ka arritur të shënojë edhe një gol pikërisht në ’89 por ai u anullua për pozicion jashtë loje. Shënkolli ra shumë fizikisht në pjesën e dytë por kjo nuk u shfrytëzua aq sa duhet nga Vllaznia.
Në fund, shkodranët u larguan të dëshpëruar nga fusha e lojës ndërsa vendasit të kënaqur. Në fund të fundit ia arritën qëllimi: Të ndalin skuadrën kryesuese të kampionatit. Dhe e bënë ndonëse kishin tre mungesa të rëndësishme në formacion.
© shkodrasport.com