Opinion nga Senad NIKSHIQI
Nuk kam guxuar të shkruaj e të them asgjë deri tani sepse nuk e kisha parë “komedinë” mes Vllaznisë e Shkumbinit në “Loro Boriçi”, stadium që vazhdon të shterrë me tifozë, e paparë ndonjëherë në historinë e kuqebluve. Falë miqve të mi, mu dha rasti të shoh “statujat” e Vllaznisë që nuk lëviznin fare, sidomos sa herë kishte topin Dervishi, golashënuesi më i mirë i Superligës por i pamerituar.
Thua vërtetë ka fuqi Shkumbini të shënojë 4 gola në Shkodër ? Thua vërtetë Dërvishi është aq lart sa të mposhtë tre herë mbrojtjen dhe portën e Vllaznisë ? Thua është rastësi apo koicidencë që pikërisht në ndeshjen e fundit peqinasit marrin pikën që i duhej? Thua kot figura si Ramazan Rragami e ish-futbollistë të tjerë braktisën ndeshjen që po shikonin nga tribuna (koteci) “VIP”? Thua rastësi ato kafet pas ndeshjes mes drejtuesve të dy ekipeve, delegatëve e ndonjë tjetri të përzier në këtë “fëlliqësirë”? Besoj që e kuptuat që pyetjet janë retorike dhe të gjithë ju bashkë me mua e dini që asgjë nuk ishtë rastësi por e mirëmenduar dhe e gatuar me zellshmëri nga PD-istët Dashamir Sula e Loren Luka. Gjithashtu besoj se askush nga drejtuesit e lartë të ekipit nuk do të jetë në gjëndje të kthejë përgjigje, ashtu siç nuk mundën ti kthejnë përgjigje akuzave të guximshme e të ashpra por mesa duket të vërteta të Erogen Vasos, ashtu siç nuk mundën t’i kthejnë përgjigje po ashtu akuzave të Luan Shpuzës e sëfundi edhe deklarimeve kudo në media të mjeshtrit Ramazan Rragami e në të njëjtën kohë akuzeve të përditshme të tifozëve, atyre që ishin e nuk ishin në stadium por që e dinë fare mirë se çfarë ndodhi. Në fakt “komedia” me peqinasit nuk ishte asgjë më shumë se “qershia mbi tortë” e gjithë këtij sezoni shpifarak e neveritës të kësaj Vllaznie. Siç thoshte Vaso pak ditë më parë: “pistoleta lodër e Sulës ka bërë presion deri në Shkodër” apo siç thoshte Shpuza: “drejtuesit janë të paaftë” apo siç ironizoi Rragami: “nuk është me rubinet që kur t’i duhen tifozët Kryebashkiakut Luka i thërret ashtu si militantët në mitingje. Tifozët vijnë kur ka ndeshje të vërtetë futbolli”. Kemi parë “bëma” në këtë ekip e kemi dëgjuar ato që në gjithë historinë e kësaj skuadre nuk kanë ndodhur kaq shumë sa në këtë sezon. Për më tepër ajo që më bën përshtypja, është paftyrsia që kanë këta drejtues, të cilët me një lumë akuzash nga të gjitha anët, asnjëherë nga fillimi deri në fund nuk i dolën njëherë në mbrojtje vetes ose të paktën të japin shpjegime se çfarë po ndodh. Edhe zyrtarisht është kërkuar nga disa anëtarë të Këshillit Bashkiak, por ky i fundit duke qenë “kukull” e Lukës asnjëherë nuk denjoi të plotësojë dëshirën e këshilltarëve të cilët përfaqsojnë një pjesë të madhe të qytetarëve të Shkodrës. Duket se ne do të vazhdojmë të shkruajmë pafund, Vaso, Shpuza, Rragami, tifozët e gjithë ata që duan drejtësinë do akuzojnë pafund por asnjëherë s’do të marrin as përgjigje e as ndonjë shpjegim për “batërdinë” që ndodh shumë shpesh në kohë tek Vllaznia. Edhe kësaj here asgjë më shumë na treguan se përveçse nuk e kanë idenë se çfarë është futbolli, le më të drejtonë një skuadër, na bënë me dije se kurrë nuk e tradhëtojnë Partinë mëmë edhe pse rolet duhen ndarë veçmas e politika të mos përzihet me futbollin. Në fakt për atë janë aty sepse i kanë dhënë besën Partisë se do të “gënjejnë” pa kushte, si e vetmja mundësi për të qëndruar në postet që kanë. Kjo do vazhdojë sa do vazhdojë por një ditë patjetër që do ketë një fund. Duhet ditur se në fund të historive personazhet e këqinj mbahen mend gjatë bashkë me heronjtë. Në këtë historinë që po bëjnë Luka me shokë heronjtë nuk egzistojnë por vetëm këta personazhe të këqinj që dërguan Vllazninë në një humnerë që kushedi sa duhet për ta nxjerrë. Sa do që të flasim e çfarë do që të flasim e kemi të qartë (të paktën unë) që nuk do të na merret për bazë për të mos folur për mbajtjen e përgjegjësive apo shpjegimet ndaj mijëra njerëzve që janë të dashuruar me Vllazninë. Luka e ndjekësit e tij ndoshta do e kuptojnë një ditë këtë faj të madh. Por…s’do ketë më kohë ! Atëherë do jenë vulosur si “bad persons”! Historia nuk bëhet dy herë! Koha është e çmueshme!