Gjykimet për Vllazninë e këtij starti të sezonit janë të ndryshme, aq më tepër që skuadra ka shkuar nga fitorja e javës së parë në barazim e më pas në humbje.

Ervis Kraja, ish-mbrojtës i kuqebluve, në një intervistë për “Panorama Sport” shprehet se Vllaznia nuk ka një stabilitet në të gjithë repartet dhe ky faktor, sipas tij, ka pasur ndikim në atë që skuadra ka bërë. Kraja shpreson që shkodranët të mundin Egnatian në ndeshjen e radhës dhe të fitojnë më shumë besimin për vazhdimësinë e kampionatit. Për momentin, ish-lojtari nuk e konsideron Vllazninë pretendente për titullin kampion.

Kraja, cili është gjykimi juaj për Vllazninë e këtij sezoni, me aq sa kanë treguar tri ndeshjet e para?
Mendoj se Vllaznia në këto ndeshje të luajtura ka treguar së është një ekip jo i vendosur mirë në të gjitha repartet. Në të gjitha ndeshjet që kanë zhvilluar, ekipi ka gabuar në çdo repart.

Ku ka gabuar konkretisht, sipas jush?
Ndoshta ndërrimi i lojtarëve ka ndikuar në skuadër. Megjithatë, shpresoj që në ndeshjet në vazhdim të shikojmë një Vllazni më të vendosur për të arritur objektivat e saj. Ekipi duhet të luajë në bllok, edhe vetë lojtarët duhet të krijojnë bindjen se nuk pësojnë gola lehtë dhe që kur dalin në sulm, kanë mundësinë për të shënuar. Ne kemi në skuadër lojtarë si Bekimi (Balaj), që deri tani besoj se ka treguar se është shumë i dobishëm për Vllazninë.

Çfarë vlerësimi keni për prapavijën, një repart që e njihni mirë, pasi keni luajtur edhe vetë?
Mbrojtja, bashkë me portierin, luajnë një rol shumë të rëndësishëm në skuadër. Mbrojtja është reparti që duhet t’i japë siguri skuadrës. Dhe siguria vjen kur ekipi nuk pëson gola lehte, por kjo gjë në këto ndeshje nuk ka ndodhur. Mbrojtësit kanë bërë gabim dhe kanë shfaqur pasiguri, çka ndikon edhe në anën psikologjike të skuadrës. Ky problem duhet të rregullohet sa më parë.

Po për ndeshjen e radhës me Egnatian, çfarë prisni?
Për ndeshjen me Egnatian mendoj se Vllaznia do të fitojë. Shpresoj që skuadra të marrë tri pikët dhe njëkohësisht të rritë besimin që i duhet për vazhdimësinë e këtij kampionati.

Sa mund të ndikojë kjo ndërprerje e kampionatit për të korrigjuar ato defekte që ju përmendët?
Ndërprerja e kampionatit i bën shumë mirë Vllaznisë. Pas tri ndeshjeve të para duhet të shikojë gabimet e bëra dhe duhet të punohet pak më qetë që ndeshjen me Egnatian skuadra të paraqitet në nivelin ku e gjithë Shkodra pret. Të jetë një ekip me fytyrë pretendenti për këtë sezon.

A mund të fitojë diçka Vllaznia këtë sezon?
Duke u nisur nga ndeshjet që kemi parë deri tani, edhe pse është shumë herët të flasim, mendoj se Vllaznia nuk është favorite për titull. Por shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të shohim një Vllazni ndryshe në lojë dhe në rezultate.