Tek Vllaznia kanë ardhur 16 lojtarë këtë sezon dhe kjo ka bërë që hapësira për të rinjtë të reduktohet ndjeshëm. Për rrjedhojë ka patur shumë largime të elementit të ri. Edhe ndonjëri që u mendua se do të ishte pjesë e kuqebluve, ka vendosur të largohet.

Bëhet fjalë për mesfushorin 19 vjeçarin Eraldo Deda. I vetmi që u përzgjodh për të qenë pjesë e skuadrës në përgatitoren që u
zhvillua në Korçë, i vetmi nga të rinjtë që ka luajtur në miqësoret e deritanishme (të fundit e luajti ndaj Apolonisë javën e
kaluar), por edhe ai po ikën.

Pak ditë më parë u tha se me lojtarin drejtuesit kishin arritur akordin dhe do të firmosnin të parën kontratë profesioniste me të, por ditët kaluan dhe kjo nuk ndodhi. Në këto rrethana, ai ka vendosur të largohet.

Ka qenë vetë lojtari që ak publikuar një foto me fanellën e Apolonisë gjatë ditës së sotme, Mësohet se ai madje ka luajtur për 90 minuta në miqësoren e djeshme të këtij ekipi ndaj Elbasanit dhe ka bërë një paraqitje të kënaqshme duke bindur stafin teknik.

Me siguri që në ditët në vijim do të vijë edhe kontrata me këtë lojtar. Vllaznia kësisoj duket se do të humbasë edhe një tjetër lojtar të ri të talentuar dhe padyshim që ky është një mëkat, megjithatë drejtuesit e saj duken të vendosur për të ndërtuar një ekip cilësor për sezonin e ri./SHKODRA-SPORT.COM/