Ecuria positive e Vllaznisë në ndeshjet e fundit është ndalur pasditen e së hënës në Kukës teksa është mundur nga skuadra vendase me rezultatin 2-0.

Kampionët në fuqi të vendit kanë arritur të shënojnë nga një gol për secilën pjesë loje ndërkohë që tek shkodranët u ndien mungesat në formacion.

Humbja e sotme padyshim që do ta vështirësojë edhe më shumë ecurinë e kuqebluve në kampionat.

Në minutat e para të ndeshjes është Vllaznia që qarkullon topin dhe madje në minutën e 3-të, Sukaj vë në provë Frashërin me një gjuajtje të fortë jashtë zone.

Pas minutës së 15-të, Kukësi sikur “zgjohet”. Pesë minuta më vonë është Ymeraj që me kokë është shumë pranë golit.

Në minutën e 24-të Guri gjuan nga jashtë zone dhe Sherri fluturon duke e grushtuar topin jashtë vijës fundore.

Rezultati do të zhbllokohej në minutën e 34-të. Arbitri Hamiti akordon një goditje dënimi shumë të kontestuar nga shkodranët në hyrje të zonës së tyre.

Topi shkon në zonë tek Shameti që e godet me kokë dhe i devijuar edhe nga Berisha, ai përfundon në rrjetë.

Dy minuta më vonë është Kalaja që me kokë mund të rrezikonte seriozisht por gjuan jashtë. Në minutën e fundit të pjesës së parë ka një mundësi të mirë Sukaj por gabon në gjuajtje.

Pjesa e parë kësisoj mbyllet me fitoren 1-0 në favor të Kukësit. Pjesa e dytë nis me një agresivitet më të madh të shkodranëve ndërkohë që në minutën e 63-të Sukaj pengohet në mënyrë të parregullt brenda zonës së rreptësisë por arbitri Hamiti nuk akordon 11-metërsh.

Në minutën e 67-të është Ribaj që me një gjuajtje nga jashtë zone rrezikon seriozisht portën e Kukësit.

E kur presioni I Vllaznisë po shtohej, në minutën e 77-të pas një kundërsulmi të shpejtë, Kukësi shënon edhe golin e dytë me anë të Musollit.

Minutat e mbetura nuk do të dhurojnë asgjë me përjashtim të kartonit të kuq të panevojshëm për Sukajn por edhe i diskutueshem.

Përfundimisht 2-0 për vendasit ndërkohë që me këtë humbje, Vllaznia ndjen gjithnjë e më shumë rrezikun e rënies nga kategoria.
www.shkodrasport.com