Opinion nga Nikë KODRA*
Këshilli Bashkiak dhe Bashkia Shkodër mendoj se i kanë kryer mirë detyrat e veta deri tani sepse planifikuan fondet, madje me to u bënë edhe më shumë blerje nga sa u mendua. Deri këtu gjërat janë në rregull. Por me këtë numër blerjesh që janë bërë, sigurisht që kanë filluar të evidentohen edhe “skarcot” e para sepse 3-4 prej tyre mund të konsiderohen të dështuara. Në aspektin financiar, ekipi i futbollit Vllaznia nuk ka patur asnjë problem. Edhe zhurma që është bërë në ndonjë mbledhje të mëparshme të Këshillit Bashkiak ka qenë për arsye të tjera, për shitje aksionesh, për kontribute etj.Ajo që mendoj unë se nuk po realizohet akoma me ekipin e futbollit Vllaznia është se ne ende nuk po çojmë tek sportdashësi një fundjavë të këndshme të kaluar me lojë të bukur kryesisht dhe pastaj edhe si rezultat. Si tifoz sigurisht që më shumë rëndësi ndoshta ka rezultati momental. Këtu duhet t’i ndajmë disa gjëra. Me pikë nuk jemi aq keq sa me vënë duart në kokë, kurse tek loja, në respekt të së vërtetës nuk kemi krijuar ekip.Vllaznia aktualisht nuk e bën futbollin që don Vllaznia dhe tifozi shkodran. Duke mos i realizuar këto, ne po humbim edhe diçka shumë të rëndësishme që kemi në Shkodër, spektaktorin i cili thuajse e ka braktisur plotësisht këtë skuadër. E kam ndjekur me shumë interes ndeshjen e fundit në Berat dhe sigurisht që jam bërë nervoz. Jo nga rezultati por nga mënyra si shkoi loja. Një skuadër që është në avantazh, këtë e dinë të gjithë, mundohet të qarkullojë topin, ta mbajë kundërshtarin larg duke e nervozuar atë dhe me kundërsulm mund t’i shënosh sërish. Por të shkojë Vllaznia e të vonojë lojën, të shtrihen futbollistët e saj në fushë pa qenë nevoja dhe t’i japin zemër kundërshtarit, kjo nuk është aspak logjike.Vllazninë në rradhë të parë për futboll të bukur sepse jemi mësuar gjatë historisë së saj, që edhe kur ajo ka humbur por ka luajtur bukur futboll, i ka kënaqur tifozët dhe ata e kanë ndjekur rregullisht atë. Duke luajtur mirë, është i sigurtë rezultati, në mos në një ndeshje në tjetrën ai do vijë.Ndoshta Vllaznia i ka pikët në renditje sot por nuk bënë lojë dhe kjo duhet të jetë shqetësuese.Ne nuk kemi bërë ekip për t’u kënaqur. Ai luan me frikë, lojtarët sapo kapin topin kanë hallin kujt t’ia lënë në dorë sa më parë për të hequr përgjegjësinë nga vetja dhe nga të gjitha këto spektatori është larguar. Paksa edhe nga çmimet e biletave sepse unë kurrsesi nuk kam qenë dakord që një biletë të jetë 5 mijë lekë. Më mirë të jetë 1 mijë lekë dhe me 5 mijë lekë të hyjnë 5 vetë në stadium dhe ta mbështesin skuadrën sesa të hyjë një person i vetëm me atë çmim. Unë e kam të qartë se duhen paratë për të mbajtur skuadrën, por përderisa shkallët e stadiumit janë bosh, më mirë ato të mbushen sepse ka më shumë kënaqësi në raste të tilla edhe për vetë futbollistët. Vllaznia pra duhet të justifikojë dëshirat e sportdashësve por edhe shpenzimet që bëhen. Ne pritëm që skuadra të formohej ngaqë dihet se asaj i duhen disa javë në dispozicion për të dalë në lojën e vet ngaqë kanë ardhë shumë lojtarë. Por po kalon një periudhë jo e vogël dhe nuk shohim asnjë përmirësim në këtë drejtim. Unë e shoh të vështirë ndërhyrjen në janar në merkato dhe kjo do ndodhë vetëm nëse i gjendet vend disa prej lojtarëve aktualë të skuadrës. Ekipit duhet t’i krijohen kushte për të dhuruar lojëra të bukura. Nuk është e thënë se duhet të dalë medoemos kampion. Kampion një ekip del, edhe kupën një ekip e merr. Edhe po doli ekipi në Europë nuk është ndonjë sukses i jashtëzakonshëm sepse po të ra ndonjë kundërshtar i lehtë, e kalon atë dhe në turin tjetër eliminohesh, po të ra i fortë turpërohesh. E rëndësishme për mua është që të kesh një ekip që të të kënaq 10 muaj rresh dhe të mban me shpresa se po ecën dhe po shohim gjëra të bukura tek ai.*Anëtar i Këshillit Bashkiak Shkodër