Shkodranët nuk kanë kohë për të humbur. Ata po vrapojnë të kapin ritmin e duhur dhe për të lënë pas kohën që kanë humbur. Trajneri Agim Canaj e ka të qartë këtë dhe prandaj po “ua merr shpirtin” futbollistëve. Vetëm paraditen e djeshme ato kanë vrapuar plot 6 mijë metra. Ky ka qenë program stërvitor I kuqebluve. 6 cirkuite nga 1 mijë metra secili, I ka lodhur jo pak pjestarët e kësaj skuadre. Kuptohet që janë disa të cilat kanë filluar të mos e durojnë këtë gjë dhe kanë ngritur “flamurin e bardhë”. Janë disa nga futbollistët e ardhur për t’u provuar dhe në fakt ata e treguan se nuk mundën ta kalojnë siç duhet atë. Të tjerë mund të mbesin në provat e sotme. Futbollistët në fakt “mërmërisin” me gjysëm zëri për këtë rraskapitje megjithatë e pranojnë se trajneri e ka për të mirën e tyre por edhe të skuadrës. Kampionati është në prag dhe duhet punuar shumë për të kapur ritmin e duhur. Faji nuk është I Canajt por më shumë I situatës që u krijua tek Vllaznia dhe që u shoqërua me nisjen me shumë vonesë të stërvitjes. Qëndrimi 2 muaj e gjysëm krejtësisht pushim, ka patur pasojat e veta. 6 mijë metrat e paradites së djeshme kanë qenë vetëm një fakt se tashmë puna e vrullshme ka nisur tek kjo skuadër. Pa harruar që në seancën e pasdites ka patur të tjera metra por edhe lojë me topin.
Faza përgatitore. Drejtuesit e klubit janë duke parë të gjitha mundësitë që të zhvillojnë një stërvitje ndoshta 10 ditore diku jashtë Shkodre në ditët e ardhshme. Fakti që temperaturat në këtë qytet janë shumë të larta, madje pritet të rriten edhe më shumë në vazhdim, është një tregues se ngarkesat e mëdha stërvitore nuk mund të merren ashtu siç duhet nga futbollistët. Ende nuk është e qartë nëse do të bëhet e mundur kjo gjë pasi për momentin nuk ka shumë financa në dispozicion. Por lëvrimi I një fondi prej 100 milionë lekësh për klubin në fundin e muajit korrik nga ana e Bashkisë, do të thotë se paratë do vijnë dhe prandaj do shihet mundësia e gjetjes së ndonjë vendi për stërvitje me klimë të mirë dhe të përshtatshmë për këtë periudhë. Vllaznia edhe një vit më parë, e bëri të njëjtin gabim duke e zhvilluar fazën përgatitore në Shkodër nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro dhe pasojat u panë tek skuadra me fillimin e kampionatit. E njëjta gjë nuk duhet të përsëritet sërish megjithatë duhet parë se çfarë do ndodhë në fund të javës së parë të muajit gusht. Atëherë kur të ketë përfunduar edhe seleksionimi I plotë I futbollistëve të rinj të ardhur për provë tek kuqeblutë.
Përbërja. Tek Vllaznia aktualisht nuk ka asnjë ndryshim në kontigjentin e lojtarëve që është duke u stërvitur. Janë të njëjtët lojtarë që po stërviten prej 3 ditësh që në momentin kur ka ardhur trajneri Canaj. Janë duke u stërvitur me skuadrën edhe Gocaj, Semina, Sykja, Shtubina e Tafili, 5 futbollistët shkodranë që kanë rënë dakord për të luajtur me këtë skuadër në tre sezonet e ardhshme. Janë duke u stërvitur edhe portierët Gjokoviç e Selimaj e po ashtu edhe lojtarë të tjerë të rinj shkodranë që kanë qenë të huazuar apo kan luajtur me ekipe të tjera, kryesisht të kategorisë së parë në sezonin e kaluar. Tashmë ata kanë ndoshta shansin e tyre të madh të jetës për të zënë një vend tek Vllaznia. Megjithatë para se ta bëjnë këtë, duhet të kalojnë testin e parë, atë seleksionues për të bindur trajnerin Canaj për vlerat e tyre. Ndërkohë, bëhet e ditur se në ditët e ardhshme mund të ketë ndonjë emër tjetër futbollisti që mund t’I bashkohet skuadrës në stërvitje.
Gjergj KOLA

Vaso Selenica sot në Shkodër për të testuar futbollistët
Ditën e sotme në Shkodër pritet të jetë edhe një specialist i njohur i atletikës si Vaso Selenica. Ai është një mik i ngushtë i trajnerit aktual të Vllaznisë, Agim Canaj, madje pat punuar për disa kohë në stafin e kësaj skuadre në sezonin 2008-09. Sot do rikthehet sërish. Por jo për të punuar gjatë. Thjesht do jetë për ta ndihmuar Canajn në disa testime fizike të futbollistëve që ai është duke stërvitur aktualisht. Në fakt kjo është e domosdoshme sepse në stërvitjen e kuqebluve për momentin janë të pranishëm mbi 50 futbollistë. Ata që në këto testimet e sotme nuk do paraqesin vlerat e duhura, do të largohen menjëherë nga skuadra. Vendimet për anën fizike do t’i marrë specialisti i kësaj fushe Selenica e sigurisht që ai nuk gabon kollaj.