Vllaznia do të presë Laçin në “Loro Boriçi”, takim që do të luhet ditën e shtunë duke nisur që nga ora 17:00. Një duel ku luhet për “jetë a vdekje” mes dy ekipeve që prej javësh nuk e njohin fitoren.

Shkodranët do të tentojnë edhe 3 pikët e para me Qatip Osmanin në stol. Për këtë kërkojnë edhe ndihmën e tifozëve. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale klubi ka nxjerr në shitje biletat dhe ka bërë të ditur edhe çmimet e tyre.

Në tribunën Vip një biletë kushton 1500 lekë, në tribunat A dhe B nga 1000 lekë. Ndërkohë në sektorët D1, D2, D3 dhe D4 një biletë do të kushtojë 400 lekë, ndërsa në atë C vlen 200 lekë. Ndërsa në tribunën E ku do të pozicionohen tifozët miq një biletë do të kushtojë po 200 lekë.

Kuptohet që pas rezultateve të fundit dhe situatës së krijuar, interesi nuk është i madh, por nëpër rrjetet sociale nuk mungojnë thirrjet e tifozëve për ta mbështetur skuadrën e zemrës në këto momente të vështira sepse tani ka më shumë nevojë se kurrë.