Ardhja e trajnerit Shpëtim Duro në krye të ekipit të Vllaznisë ka bërë që edhe merkatoja të përqendrohet te lojtarët që ai dëshiron për sezonin e ri. E ndërsa deri më tani janë përfolur shumë emra si të mundshëm për të veshur fanellën kuqeblu, këto ditë, ndonëse jo në mënyrë zyrtare, listës së përforcimeve i janë shtuar edhe qendërmbrojtësi i Teutës, Tefik Osmani, si dhe mesfushori i djathtë i Flamurtarit, Gerhard Progni. Nuk është hera e parë që ky lojtar pëlqehet nga drejtuesit e klubit kuqeblu, ndërsa emri i tij mësohet se ka dalë përsëri në skenë. Synimi i krerëve shkodranë është ta bëjnë të tyrin këtë futbollist, çka do të ndihmonte mjaft në repartin e mesfushës. Gerhard Progni, mësohet se pas përfundimit të takimeve evropiane me Flamurtarin do të jetë një lojtar i lirë. E nga kjo kërkojnë të përfitojnë shkodranët, me qëllim që të përforcojnë skuadrën.
Mbrojtësi Tefik Osmani, qendërmbrojtësi që mbylli sezonin me Teutën, nuk është një risi për kuqeblutë. Ashtu si edhe Progni, edhe Osmani pas aventurës në Ligën e Evropës me durrsakët do të jetë i lirë. E duke pasur parasysh nevojat që kanë shkodranët në repartin difensiv kërkojnë që ta bëjnë të tyrin këtë futbollist. Të dy këta lojtarë njihen mjaft mirë nga ana e drejtuesve të klubit kuqeblu, sidomos nga tekniku Shpëtim Duro, i cili ka kërkuar nisjen e tratativave me mbrojtësin. Ndërkohë që, pavarësisht se përfliten mjaft emra, deri më tani, me përjashtim të teknikut Shpëtim Duro, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.
Synimet Objektivat e shkodranëve për të afruar një numër të konsiderueshëm lojtarësh dhe duke e bërë këtë pikërisht në “shpinën” e skuadrave pjesëmarrëse në Kupat e Evropës, bën që edhe emrat e parë të fillojnë të dalin me vonesë. Mirëpo, edhe puna të startojë pas kompletimit të skuadrës me lojtarët e piketuar nga Duro. Madje, vetë numri një i pankinës shkodrane, tri ditë më parë, në një prononcim te tij pohoi se skuadra do të riformohet nga 10 korriku, atëherë kur të ketë elementët nga Tirana, Skënderbeu, Teuta, apo Flamurtari. Megjithatë, gjithçka pritet të shihet ditët e ardhshme. Pas dështimit të sezonit të kaluar, krerët shkodranë janë të bindur për ndërtimin e një skuadre kompetitive. E këtë e nisën që me vënien e Duros në pankinë. Ndërkaq, ata i kanë premtuar teknikut se do të bëjnë gjithçka për të afruar lojtarët që japin garanci, vetëm e vetëm që sezonin e ri të mos vihen në dyshim realizimi i objektivave.

Admir URUÇI