Ekipi i Vllaznisë nuk është grumbulluar këtë herë në pragndeshjen me Dinamon. Ka qenë trajneri Rudi Vata që ka vendosur në këtë mënyrë duke mos preferuar grumbullimin në një nga hotelet e qytetit të Shkodrës. Megjithatë skuadra është grumbulluar mbrëmë teksa e gjitha sëbashku, ka ngrënë darkën në hotel “Europa” dhe këtë ritual do bëjë edhe sot kur do ketë drekën po në këtë ambjent. Menjëherë pas drekës, pastaj ekipi do niset për në stadium teksa në orën 16.00 do luhet ndaj Dinamos. Orari nuk cilësohet shumë i favorshëm për tifozët megjithatë futbollistët nuk duan t’ia dinë për këtë gjë sepse e kanë për detyrë të jenë në fushë në atë orar. Me shumë siguri, edhe për këtë ndeshje do ketë premio për fitoren pavarësisht se ajo nuk është deklaruar deri tani. Për Vllazninë kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për të ardhmen e saj por njëkohësisht është ndeshja përmbyllëse e këtij viti në “Loro Boriçi” dhe duhet patjetër një mbyllje me fitore.

shkodrasport.com