Elvin Beqiri është mungesa e madhe e Vllaznisë ndaj Partizanit. Kapiteni kuqeblu ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe është i detyruar të pushojë një javë. Për mbrojtësin shkodran, mungesa në këtë takim cilësohet si një peng. “Më vjen shumë keq që nuk do jem ndaj Partizanit. Është një përballje që kishte kohë që më mungonte dhe do dëshiroja të isha në fushë. Natyrisht që është një peng, por kam besimin e plotë që shokët e ekipit do dinë të më japin kënaqësinë e një fitoreje në këtë përballje. Të luajnë dhe të fitojmë për tifozët dhe mua bashkë”, – ka thënë fillimisht Beqiri në një bisedë për gazeten.
Vlerësimi Për kapitenin shkodran, sfida ndaj Partizanit është shumë e vështirë, porse sipas tij skuadra kuqeblu i ka të gjitha mundësitë që të marrë tri pikët në kryeqytet. “Ne duhet ta vlerësojmë në maksimum Partizanin. Kemi të bëjmë me një ekip të fortë, që ka bërë shumë ndërhyrje në merkaton e këtij sezoni. Pavarësisht se vjen nga Kategoria e Parë, ky klub ka emër të madh. Dua të kujtoj se përherë Partizani dhe Vllzania kanë treguar vlerat më të mira ndaj njëra-tjetrës, pavarësisht se në çfarë pozitash janë gjendur në tabelën e klasifikimit. Partizani është një skuadër e frikshme këtë sezon, çka e tregojnë vetë rezultatet. Ky ekip nuk mundet kollaj, por megjithatë kjo nuk më tremb aspak, pasi jam i bindur se ne kemi forca për të marrë më të mirën në këtë përballje”, – shton qendërmbrojtësi 33-vjeçar. Objektivi Kapiteni, që ka peng mosmarrjen pjesë në këtë takim, është optimist dhe i bindur se shokët e skuadrës do dinë që t’i dhurojnë atij dhe tifozërisë shkodrane një fitore. “Objektivi ynë në çdo përballje, si brenda dhe jashtë fushës, është që të marrim maksimumin e pikëve. Besoj se edhe në takimin me Partizanin ne do shkojmë për të fituar. Vllaznia i ka mundësitë për të arritur triumfin, pasi është bërë një punë e mirë gjatë gjithë javës për ta përgatitur siç duhet takimin”, – përfundon deklaratën “veterani” i kuqebluve. Ndërkohë, përveç mungesës së Beqirit në ndeshjen e radhës, vlen për t’u përmendur se Vllaznia do të bëjë deri në fundin e sezonit edhe pa malazezin Bllazho Rajoviç, i cili u dëmtua rëndë në gju pak javë më parë.
Admir URUÇI