Të mërkurën do të luhen ndeshjet e javës së shtatë të Kategorisë Superiore dhe Vllaznia do të udhëtojë këtë herë drejt Kamzës, aty ku do të ndeshet me Kastriotin e Krujës.

Skuadra shkodrane për këtë ndeshje nuk do të ketë të gatshëm të gjithë futbollistët. Ende nuk është e qartë nëse do të jenë në gjendje për të luajtur Arsid Kruja dhe Victor da Silva, ndërkohë që mungesë e sigurtë është ajo e mbrojtësit Mevlan Adili.

Ky i fundit u ndëshkua me karton të verdhë dje ndaj Bylisit, karton ky që ishte i katërti për të dhe për pasojë, do të jetë i skualifikuar për sfidën e ardhshme në kampionat.

Padyshim që kemi të bëjmë me një mungesë të rëndësishme sepse Adili është një nga pikat më të forta të Vllaznisë. Sëbashku me Gurishtën dhe Imamin, kanë formuar treshen e mbrojtjes e cila ka qenë stabël në gjithë këto ndeshje.

Tashmë mbetet për t’u parë sesi do ta zëvendësojë stafi teknik këtë mungesë. Ndaj Kastriotit, Vllaznia ka për detyrë të mos humbasë sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të vazhdojë të ruajë serinë e rezultateve pozitive dhe po ashtu edhe kreun e renditjes./SHKODRA-SPORT.COM/