Nga Endri ÇINARI
Vllaznia ka pasur një sezon jashtë pritshmërive deri më tani në Superiore. Luhatjet kanë qenë mjaft të mëdha tek kuqeblutë, duke bërë që skuadra të jetë momentalisht në vendin e 7-të me vetëm 9 pikë. Dhe kjo pas 8 javëve të para ku ekipi ka vetëm 2 fitore. Këtë e tregon edhe stabiliteti që kanë pasur futbollistët.
Shumë prej tyre nuk kanë qenë konstantë në formën e tyre. Duke munguar në disa ndeshje, herë si pasojë e dëmtimeve e herë si pasojë e zgjedhjeve teknike të Memellit. Janë vetëm dy lojtarë që nuk kanë munguar në asnjë minutë këtë sezon. Duke luajtur të plota ndeshjet si në Europë ashtu dhe në Superligë.
I pari është Bekim Balaj, sulmuesi që ka shënuar 6 gola në Superiore dhe 1 në Conference League numëron 900 minuta deri më tani. Ku janë 10 ndeshje, 8 prej të cilave në kampionat dhe dy në Conference League. Futbollisti tjetër që ka pasur çdo minutë të sezonit në këmbët e tij është Milos Stojanovic.
Mbrojtësi 26-vjeçar ashtu si Balaj ka luajtur në të gjitha ndeshjet. Duke mos munguar në asnjë prej tyre deri në këto momente. Janë pikërisht këto statisika që tregojnë se futbollistët e Vllaznisë nuk kanë pasur stabilitet këtë sezon. Duke e pasqyruar një fakt të tillë edhe në formën që ka pasur skuadra deri më tani.