Kaloi dhe një javë tjetër dhe Vllaznia është ende pa trajner. Megjithatë tani rrethi është ngushtuar jo pak dhe s’është çudi që çdo gjë të marrë zgjidhje brenda pak ditësh. Votimi online i publikut shkodranë për tre ditë me radhë, javën që sapo u mbyll, duke shpallur fitues Armando Cungun, solli dorëheqjen e menjëhershme nga gara të kandidatit Artan Bushati. Përgjigjen që i ka, këtij të fundit, publiku shkodranë, bëri që ai të dorëhiqje dhe të bënte hapa prapa, për ta synuar pankinën e Vllaznisë në një të ardhme tjetër, pra në një kohë tjetër. Por kur kemi vetë-largimin nga gara të Bushatit, duket se dueli është përqëndruar mes Cungut dhe Shpëtim Duro, ku ky i fundit doli i tretë në votimin online, duke lënë pas vetes, kosovarin me pasaportë kroate, Ardian Koznikun. Tekniku tiranas është në pritje, deri ditën e hënë, të një kontakti tjetër me drejtuesit e Vllaznisë për t’i dhënë fund kësaj dileme, nëse do të emërohet në krye të kuqebluve apo do të kërkojë një ekip tjetër për sezonin tjetër. Të njëjtën gjë pret dhe Cungu, që për momentin duket të jetë më i avantazhuar për të marrë drejtimin e ekipit shkodran, si personi më i përshtatshëm për momentin, për të drejtuar Vllazninë, ku ka mjaft faktor janë favorizues për të dhe skuadrën në tërësi. Gjithsesi, duke nisur nga dita e hënë, mund të fillojnë dhe të zbardhen enigmat për këtë çështje, ndonëse pritet dhe një përgjigje nga Kozniku.

Mejdan ZHIVANI