Opinion nga Gjergj KOLA

Në këtë fundviti, situata tek Vllaznia duket vërtetë e rrëmujshme. Skuadra vazhdon stërvitjen por çdo ditë e më tepër po bëhet zhurmë në lidhje me mundësinë e marrjes së drejtimit të klubit nga biznesmenë të ndryshëm. Media e shkruar sidomos ka marrë stafetën për këtë gjë duke përmendur çdo ditë nga një kandidat por në fakt realiteti duket krejt tjetër. Ka qenë vetë kryebashkiaku Lorenc Luka, njëkohësisht edhe president I klubit, ai që përmes një prononcimi të shkurtër për gazetarët, ka sqaruar njëherë e mirë faktin se deri në këto momente nuk ka asnjë interes nga ndonjë biznesmen për të marrë drejtimin e Vllaznisë. Një deklaratë e tillë kësisoj shuan gjithë zhurmën e bërë gjatë këtyre ditëve, zhurmë e cila ka sjellë edhe një çorientim të tifozëve por edhe të vetë skuadrës. Futbollistët dhe stafi drejtues janë të pasigurtë për të ardhmen e tyre kur në fakt nuk duhet të jenë ashtu sepse Bashkia Shkodër deri më tani është munduar t’ia plotësojë të gjitha kushtet asaj. Natyrisht që ardhja e ndonjë biznesmeni do ndikonte për mirë por duket se në këtë mes, më shumë është një sajesë sesa ka diçka të vërtetë. Vllaznia ka nevojë për qetësi në këto momente, natyrisht edhe për ndonjë përforcim në merkaton e janarit sepse situata tek ajo nuk është shumë e qetë. Vendi I tetë që mban në kampionat sjellë pasiguri për të ardhmen prandaj dhe gjërat duhen marrë shumë seriozisht në fillimin e muajit janar se ndryshe pasojat mund të jenë të mëdha për këtë skuadër.