Basketbolli shqiptar rikthehet në parket këtë mesjavë, ndërsa të mërkurën duke nisur nga ora 17:00 drejtpërsëdrejti nga Pallati i Sportit “Qazim Dervishi” Shkodër në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar do të vijë Vllaznia – Partizani.
Vllaznia e Afrim Bilalit kërkon që të rikthehet tek fitoret, kjo dhe pas disfatës në Durrës, 77-101, ndërsa Partizani të vijojë të shpresojë në hapin fals të Tiranës për të kapur vendin e katërt. Aktualisht duket e vështirë, sepse Tirana, që do të jetë në Xhafzotaj ndaj Goga Basket, ka 17 pikë e Partizani 14 pikë.
Për Teutën do të jetë një ndeshje stërvitore ajo me Barleti Eagles. Tjetër llogari në kategorinë e parë, ndërsa Kamza Basket, që do të ketë përballë të mërkurën Skënderbeun, tashmë e ka siguruar daljen në Superligë. Kurse Dinamo, që pret Flamurtarin, ka forcuar vendin e dytë për të luajtur në Play-off me shumë mundësi ndaj Partizanit.
Tek femrat spikat derbi Partizani – Tirana, ndërsa Flamurtari kryesues përballë Studentit dhe Shoqata e Klub Basketboll Tiranës ndaj Apolonisë thjesh kanë takime për të plotësuar kalendarin. Sikurse mund të konsiderohet dhe Elbasani – Vllaznia.
Aktualisht Flamurtari, Partizani, Tirana janë në Play-off, ndërsa skuadra e katërt do të dalë mes Elbasanit e Vllaznisë. Deri më 19 maj ka dhe tre javë nga përfundimi i kampionatit të rregullt, kurse më pas gjithçka do të jetë për Play-off për titull kampion.