Humbja e djeshme e Vllaznisë në Laç, duket se e ka kthyer me këmbë në tokë atë. Deri para kësaj ndeshjeje, nisur edhe nga forma e mirë e treguar nga skuadra në tërësi si dhe nga fakti që ajo nuk humbiste prej gjashtë takimesh, krijuan idenë se ajo ishte e pathyeshme. Në fakt, me humbjen ndaj kurbinasve, u vërtetua tjetër gjë. Kuqeblutë pas javës së shtatë të kampionatit kanë zbritur në vendin e shtatë në renditje me vetëm 8 pikë të grumbulluara dhe ajo çfarë është më e keqja ka të bëjë me kalendarin e tre javëve të ardhshme.
Shkodranët do presin Partizanin në Shkodër por pa tifozë pas ndeshjeve të kombëtares dhe më pas, do të kenë dy ndeshje në transfertë, fillimisht me Skënderbeun në Korçë dhe më pas në Kukës. Vështirësitë për të marrë pikë shtohen edhe më shumë dhe në rrethana të tilla duhet patjetër një angazhim shumë I madh I të gjithë futbollistëve dhe I stafit drejtues për të korigjuar gabimet e vërejtura në ndeshjen e fundit. Në fakt, drejtuesit e lartë të klubit jo më kot ditët e fundit kanë dashur të qëndrojnë në heshtje pavarësisht se shumëkush I bënte elozhe ekipit për paraqitjen në gjashtë ndeshjet e para. Ata e dinin mjaft mirë se ditë të vështira do ta prisnin këtë ekip. Pa lënë kurrsesi mënjanë edhe problemet në mes Bashkisë Shkodër dhe kompanisë “Gea Sport” që dashje pa dashje kanë ndikuar tek futbollistët. Ndërprerja e kampionatit në këto momente duhet t’I shërbejë për mirë kuqebluve për të bërë një analizë të thellë të kësaj situate dhe për të shikuar përpara sepse vështirësitë tani sa vijnë dhe do të rriten.
www.shkodrasport.com