Titulli kampion i fituar pak ditë më parë, ka sjellë një atmosferë shumë entuziaste në Shkodër. Kuptohet që edhe të qenurit titulli i parë në historinë e Vllaznisë, ka dhënë efektin e vet. Drejtuesit e ekipit megjithatë nuk duan të ndalen këtu. Objektivi i tyre padyshim që është ruajtja e kësaj vazhdimësie dhe për ta bërë këtë gjë, kuptohet se puna e nisur duhet të vazhdojë. Gjëja e parë që kanë ndër mend të bëjnë është konfirmimi i pjesmarrjes në Kupat e Europës, pikërisht në “Challenge Cup” aty marrin pjesë zakonisht ekipet shqiptare.

Por për ta bërë këtë gjë, pikësëpari duhen siguruar fondet e nevojshme për këtë gjë. Puna ka nisur. Këtë gjë e ka bërë të ditur për “SHKODRA SPORT”, trajneri i këtij ekipi Mark Kroqi, që natyrisht mban edhe funksionin e drejtorit të Sportklub Vllaznia. “Dëshira ekziston për të marrë pjesë në Kupat e Europës dhe për këtë kemi filluar bashkë me zëvendëstrajnerin Ademi që të bëjmë planet se si do të gjejmë fondet. Kuptohet që ne besojmë tek mbështetja e Bashkisë Shkodër por edhe tek sponsorë të ndryshëm dhe jam i bindur se do ia dalim. Ky ekip meriton mbështetje sepse ka një të ardhme të mirë përpara. Titulli kampion i sapofituar është një nxitje për të gjithë por nga ana tjetër edhe një sfidë për ta ruajtur atë. Për të bërë këtë gjë, padyshim që pjesmarrja në Kupat e Europës është një ndihmesë e madhe edhe për sportistët për t’u rritur nga ana profesionale sepse pothuajse i gjithë kontigjenti që kemi aktualisht në ekip, ka pak ose aspak ndeshje ndërkombëtare mbi supe. Për këtë arsye do të besojmë deri në fund për ta dërguar Vllazninë në Europë dhe jam i bindur se do ia dalim ta bëjmë këtë gjë”.

© shkodrasport.com