Vllaznia pëlqen Amarildo Dimon, lojtari s’është kundër
Duket se Vllaznia e ka shtrirë vëzhgimin e saj, në të gjitha pistat e mundshme, sa i takon merkatos së janarit. Pavarsisht se trajnerit Rudi Vata do t’i pëlqente të afronte lojtarë, vetëm nga kampionatet, e huaja, s’është çudi, që në momente të caktuara, të bëjë ndonjë përjashtim të vogël. Pas përjashtimit të sulmuesit shkodran Xhevahir Sukaj, kuqeblutë janë vënë në kërkim të një sulmuesi tjetër, qoftë ky nga Shqipëria dhe jashtë saj. Emri më i fundit, për këtë rol, që lakohet, është ai i sulmuesit të Bylisit Amarildo Dimo. Bëhet e ditur, se ky futbollist është në preferencat e teknikut Vata dhe nuk është çudi, që në ditët në vazhdim, të ketë edhe një kontakt mes palëve. Në mënyrë të veçantë teknikut shkodran i ka pëlqyer paraqitja e Dimos në përballjen mes Vllaznisë dhe Bylisit në Shkodër, që ishte ndeshja e parë, që Vata drejtonte kuqeblutë, takim i cili u mbyll me barazim 3-3, që ishte më i miri për ekipin mik. Ndoshta, që nga ai moment, emri i kapitenit të Bylisit mund të jetë future në rreth, por që nuk ka ndonjë kontakt më shumë. Në krahun tjetër, mësohet se Dimo, do të ishte shumë i gatshëm për të lënë Bylisin dhe për të ardhur në Shkodër, ku do të ishte një privilegj për të, ndonëse ai është nën kontratë me skuadrën ballshiote. Fieraku është i gatshëm për të prishur kontratën, vetë, me skuadrën e tij, për të shkuar drejt Shkodrës, gjithnjëse tekniku Rudi Vata do të jepte “ok”-in e tij për ta patur në skuadër. Ajo që mund të thuhet për momentin, lidhet me faktin se Amarildo Dimo pëlqehet nga tekniku Rudi Vata, ndërsa edhe vetë lojtari, duket të jetë i gatshëm për të hyrë në bisedime me Vllazninë, nëse gjërat fillojnë e shtjellohen në krahun e duhur. Duket se palët janë në pritje të njëra-tjetrës. Dimo deri tani është autori i 9-të golave për Bylisin, duke u renditur ndër golashënuesit më të mirë të kampionatit tonë.