Vllaznia në basketboll për femra e ka nisur mirë kampionatin e ri. Në ndeshjen hapëse të tij, atë të luajtur pasditen e djeshme në kryeqytet ndaj Kamza Basket, vajzat shkodrane kanë fituar me rezultatin 67 me 50. Një fitore që në fakt është konsideruar deri diku surprizë megjithatë jo për trajnerin e Vllaznisë Rasha dhe vajzat e tij.Takimi është shoqëruar me rivalitet sidomos në dy periodat e para. 10 minutat e para të takimit janë fituar 12 me 11 nga Kamza Basket, ndërsa 10 të dytat nga Vllaznia 20 me 18 dhe kështu që të dy ekipet kanë shkuar në pushimin e ndeshjes me një pikë diferencë në favor të ekipit mik.


Perioda e tretë do të përcaktonte fatin e takimit teksa Vllaznisë sërish dominon në lojë dhe e fiton atë në shifrat 21 me 14 duke ecur e sigurtë drejt fitores.Edhe perioda e fundit do të përfundonte me epërsinë e kuqebluve që fitojnë sërish 15 me 6 dhe krejt takimin me një diferencë prej 17 pikësh. Ky natyrisht që është një sukses për këtë ekip që duket se në kampionatin e ri do të tentojë patjetër që të futet në katërshen e ekipeve më të mira. Në ndeshjen e djeshme ndaj Kamza Basket, kanë rënë veçanërisht në sy për paraqitjen e tyre dy basketbolliste të Vllaznisë, të cilat kanë shënuar edhe më shumë pikë nga gjithë të tjerat. Ingrid Dashja ka shënuar plot 21 pikë ndërsa Edona Berranija ka arritur të shënojë 19 pikë duke ndihmuar ekipin të arrinte fitoren e parë në kampionat.

Gjergj KOLA