Pasditja e sotme ka dhuruar dy ndeshje të kampionateve kombëtare të volejbollit në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të qytetit të Shkodrës. E para ka qenë ndeshja e femrave në mes Vllaznisë dhe Minatorit të Rrëshenit. Vajzat shkodrane kanë luajtur më mirë dhe kanë fituar me rezultatin e pastër 3-0. Ata kanë udhëhequr setet që nga fillimi teksa kanë fituar të parin me rezultatin 25-19, ndërsa në të dytin dhe të tretin epërsia ka qenë më e madhe dhe ato janë mbyllur në shifrat 25-13 dhe 25-14. Me fitoren e sotme Vllaznia duket se ka siguruar përfundimisht vendin e gjashtë në kampionat. Pas ndeshjes së femrave, me shumë emocione është pritur ajo e meshkujve në mes Vllaznisë dhe Studentit. Ndeshja ka qenë shumë e ekuilibruar dhe jo më kot ka shkuar me set final. Ka qenë Studenti që ka fituar setin e parë me shifrat 25-11. Vllaznia reagon dhe fiton setin e dytë dhe të tretë me shifrat 25-21 dhe 25-23. Në të katërtin ndërkohë luftë shumë e fortë sportive dhe në fund fiton Studenti në shtesë 27-25. Kjo bëri që ndeshja të shkonte në set final ky kryeqytetasit e drejtuar nga Ylli Tomori janë treguar më të saktë, kanë fituar atë 15-9 dhe krejt ndeshjen me rezultatin 3-2. Me këtë humbje të sotme, skuadra shkodrane e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja përfundimisht ka zënë vendin e katërt në renditje dhe është në pritje të ndeshjeve të play-off-it.
www.shkodrasport.com