Vllaznia në gjimnastikë është shpallur kampione e vendit. Ajo ka dominuar në garat e kampionatit kombëtar të zhvilluara dy ditë më parë në Tiranë. Ekipi shkodran i drejtuar nga trajneri Vladimir Limaj ka qenë mbi të tjerët sepse paraqitja e sportisteve të tij ka qenë shumë e mirë. Në kushte të tilla, vendi i parë si ekip i ka dhënë edhe titullin kampion. Por ndërkohë në garat individuale, ka rënë në sy Oneda Reçi e Vllaznisë e cila ka arritur të grumbullojë 49.35 pikë duke zënë vendin e parë në shumëgarësh. Në vend të dytë ka dalë një tjetër sportiste e Vllaznisë, Xheni Kozi me 42.90 pikë. Ndërkohë në garën e kërcimeve, Abeliana Bregu po e Vllaznisë ka zënë vendin e parë. Sportistet e Vllaznisë kanë dominuar edhe në garat e të rejave. Kështu, Eralda Zemanaj e Vllaznisë ka zënë vendin e parë me 44.00 pikë dhe në vend të dytë, një tjetër sportiste shkodrane, Anxhela Stojna me 43.00 pikë. Në këtë mënyrë, është mbyllur ky kampionat që ka treguar se me gjimnastikë Vllaznia është dominuese absosule në garat e kampionatit kombëtar. Një tjetër ekip kampion ky i klubit shumësportësh Vllaznia duke treguar se tek ky klub nuk do mungojë kurrë ekipet dhe sportistët kampionë.
www.shkodrasport.com